1935/Enver Hoxha u orvat të vidhte paratë e konsullit Marothy

Premte, 03 July 2020 14:14
Enver Hoxha në Bruksel dhe Mentor Çoku në një foto të rinisë Enver Hoxha në Bruksel dhe Mentor Çoku në një foto të rinisë

Beqir Ajazi (1920-2017), në librin e tij “Nga shkaba me kurorë, te drapri me çekan”, ka një përshkrim interesant rreth një takimi të Mentor Çokut (1914-1996) me të bijën e konsullit të nderit të Shqipërisë në Belgjikë, Marothy, dhe sekretarit të tij Enver Hoxha. Mentori ka qenë rreth 20-21 vjeç, ndërsa E.Hoxha 27 vjeç. Të tre kanë frekuentuar një prej lokaleve më luksoze të Brukselit. Këtu E.Hoxha është orvatur të marrë para nga çanta e bijës së konsullit. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri i sipërthënë, botuar fillimisht në vitin 2000, e ribotuar më pas.

***

Enver Hoxha dhe Mentor Çoku

Gjatë kohës që Enver Hoxha shërbente si sekretar i konsullatës sonë në Bruksel, kishte rastisur që të shkonte atje dhe Mentor Çoku. Natyrisht, si aristokrat dhe intelektual që ishte, doktor Mentorin do ta shoqëronte gjatë tërë kohës së qëndrimit të tij atje, z.Georges Marothy, konsulli ynë, për t'i treguar këtij monumentet historike të qytetit si dhe gjithçka kishte karakteristikë Brukseli.

Për më tepër z. Marothy i kishte pëlqyer shumë natyra e doktor Mentorit, sidomos për atë etiketën e tij prej aristokrati të stërhollë, që notonte shpengueshëm fare ndërmjet mënyrave aristokratike sa të orientit aq dhe të oksidentit. Për këto arsye z.Marothy nuk kursente as kohën dhe as paratë për ta zbavitur Mentorin dhe për të fituar miqësinë e tij.

Duke pasur një konsideratë të tillë për këtë bej shqiptar, kishte qëlluar që një ditë z. Marothy e kishte parë veten shumë të angazhuar në një çështje shumë delikate dhe serioze, së cilës nuk mund t'i bënte kurrsesi bisht. Prandaj, duke dashur që ta mbushte më së miri këtë boshllëk që do të krijonte për Mentorin, si nata ashtu dhe dita e mungesës së personit të tij, ky kishte urdhëruar të bijën, pothuajse adoleshente dhe shumë të bukur e delikate, po ashtu sekretarin e tij Enver Hoxhën, që të bënin çmos që të dy për të mos e lënë doktor Mentor Çokun që të mërzitej. E bija e z.Marothy, duke u përpjekur ta zbaviste sa më mirë mikun e babait, i kishte çuar të dy burrat në lokalin më të shtrenjtë, më luksoz dhe më të frekuentuar të Brukselit.

Gjatë kësaj darke "les entrees et les hors d' oeuvres" (hyrjet dhe daljet, të cilat nuk i kishin të sosur), kishte ndodhur që vajzës së re të konsullit tonë, njëra nga damat më fisnike dhe më me prestigj të Brukselit i kishte bërë shenjë që t'i shkonte pranë. E bija e konsullit tonë kësaj ftese i ishte përgjigjur në çast dhe në një mënyrë krejt spontane, duke harruar në tavolinë çantën e saj të mbushur, mbush e rras, me një vandak bankënotash, me të cilat ajo do të përballonte konsumin e asaj nate, si dhe do të bënte dhe disa likuidime të tjera, gjithmonë me porosi të të atit.

Duke konstatuar indiferencën, me të cilën çupëlina e kishte braktisur ose harruar çantën me vandakun e kartëmonedhave, Enveri ishte ndezur dhe përflakur nga babëzia, nga lakmia patetike si dhe nga etja për të bërë fitime të padrejta, që shprehur në një formë tjetër, quhet vjedhje. Me të çapëlyer syshë dhe me shpirt të ngazëlluar nga një makutëri me të vërtetë çifute, Enveri pa i peshuar më gjatë pasojat e një veprimi të tillë, një të lëshuar duart mbi çantën e çupëlinës, kishte nxjerrë së andejmi vandakun e bankënotave gati që ta fuste atë në xhepin e tij të makutërisë dhe të vesit. Përpara kësaj orvatje sa poshtëruese aq dhe të dënueshme, doktor Mentor Çoku ishte tronditur tej mase. Duke qëndruar shumë, shumë larg këtyre meskinërive, Mentori ia kishte kapur dhe trysur fort atij dorën mbi tavolinë, duke e urdhëruar me një ton që linte të kuptohej se pas tij vinte flakurima turinjve, i kishte bërtitur duke i kërcitur dhëmbët:

-Në qoftë se ti nuk ke gajle për personalitetin tënd dhe e lë fytyrën të të bëhet rrogoz, të paktën mendo se në këtë tavolinë jam dhe unë që nuk lejoj kurrë që të bëhen gjëra të tilla, në praninë time. Prandaj, fute vandakun e kartëmonedhave atje ku e more, ose plasi skandali.

-Pse e merr punën kaq tragjike ti Mentor, fundja para varde janë këto, numrin e të cilave, as ai që ia ka dhënë e as dhe kjo që do t’i shpenzojë, më thertë mua që nuk e di fare.

-Mund të jetë vërtet ashtu, por përpara meje një gjë e tillë nuk lejoj të ndodhë kurrë. Kështu që për një aksion të tillë, ruaj dhe përgjegjësi. Në një rast tjetër, kur të jesh vetëm për vetëm me viktimën, ose në shoqëri me një tjetër, që të mos ketë as skrupull as alergji për punë të tilla të papastra, vepro si të duash.

Përpara një qëndrimi kaq të prerë të Mentor Çokut, Enver Hoxha, e kishte dredhur duke i thënë:

-Ç’ke me mua, as që më vete mendja për një gjë të tillë, po bëra shaka, vetëm për të parë se si do të reagoje ti. Kjo është dhe asgjë tjetër…

Login to post comments