Si e mori peng Myslim Shyri tregtarin tiranas

Hënë, 20 July 2020 15:00

Në traktin e tretë të Xhelal Staraveckës, flitet për një rrëmbim të një tregtari tiranas nga Myslim Shyri, emrin e të cilin mban një rrugë e njohur e Tiranës, rolin e Dushan Mugoshës, Tahir Kadaresë, etj. Pengmarrja dhe krimi kanë qenë cilësi tipike të komunistëve në këtë kohë.

Trakti i tretë

Cili është objektivi i partisë terroriste komuniste për të arritur me anën e ushtrisë së krijuar me emrin ushtria nacionalçlirimtare? Cili sekret fshihej në këtë ushtri? Shumë e vështirë ma përpara dhe shumë e lehtë tani që e hoqi maskën e saj pa marrë mirë fuqinë në dorë për të lozur dramën ma tragjike që imagjinon mendja e njeriut.

Objektivi ka qenë përmbysja, rrënimi, shkatërrimi, shkallmimi dhe zhdukja e popullit shqiptar njëherë e përgjithmonë.

Brigada kishte qëndruar në katundin Fravësh ndoshta të Rrethit të Tiranës; që andej ndaheshin batalionet në pika të ndryshme për të goditur armikun okupator e natyrisht, sipas direktivës edhe tradhtarët e vendit.

Kur arritëm në Priskë ku kishte ngelë për ndërlidhje komisari politik i batalionit, Myslim Shyri shumë i njohur për zotësi luftarake (të mos bisedojmë për atë politike) shofer i autoton trokvet të Fordit, mysafir i cepave të rrugëve dhe i nënurave, pijanec e i paskrupull, miku më i ngushtë i DUSHANIT, kishte kapur një gjah tepër të mirë: një tregtar tiranas që kishte ardhur te miku i tij në Priskë.

Tregtarin tiranas, nuk ia mbajë mirë mend emrin por më duket Abdullah, e kishte arrestuar dhe e kishte dënuar me një nen, d.m.th. me vdekje. Neve kemi pas dy nene; kur ndonjë fatkeq dënohej me dy nene donte të thoshte torturë, nja 4 orë të paktën, e më në fund, në qoftë se i mbetesh ndonjë pikë shpirti, plumbin. E pyes shokun komisar sepse mbahesh i arrestuar ky civil? “Me i dhënë gjysmën e lekut” mu përgjigj ai. Në atë anë të Tiranës gjysma e lekut do të thotë plumbi. Po pse? Ç’faj ka bërë? E pyes unë. “Ka qenë polic në kohën e Zogut” mu përgjigj shoku komisar. Ah ç’rrebesh i madh për popullin shqiptar. Ta vrasim pse ka qenë spiun në kohën e Zogut; ndoshta meritonte një dënim, por jo në këtë kohë, pse neve me zogistët ishim lidhur. Imagjinoni vetë se ç’mundim kam hequr për të ndaluar vendimin e komisarit tim aq koshient për të shpëtuar nga ekzekutimi prindin e fëmijëve të shkretë që babën e dinin se kishte shkuar te miku në gosti.

Të nesërmen, më duket 9 tetor 1943, Isa Toska i dytë (Mehmet Shehu) me një kompani nga Fraveshi vjen në Priskë të marrë kontakt me ne. Ishte nisur dhe ky për një aksion brenda në Tiranë. Shkoi rrethoi xhandarët e post komandës të Varrit të Bamit dhe u thirri që të dorëzohen. Xhandarët përgjigjen negativisht. Mehmet Shehu menjëherë shkon në një shtëpi tjetër dhe pyet se ku është postkomandanti i asaj poste. E gjeti shtëpinë e postëkomandantit e thirri dhe ai menjëherë doli jashtë duke u vënë në dispozicionin e Mehmetit me buzëqeshje dhe bile me vullnet të mirë.

Shkoi në postkomandë, u thirri xhandarëve të tij që të dorëzohen “s’kemi asnjë rrezik se dhe këta janë shqiptarë”. Xhandarët u dorëzuan, u shoqëruan dhe u dërguan tek unë. Në mesin e ditës vjen dhe Mehmeti. Më thotë të bëj gjyqin e tyre. Çfarë poshtërsie! Gjyqi i tyre ishte i bërë, plumbi në kokë. Për formalitet, i mora në pyetje. E çfarë pyetje? U morëm vetëm emrat që i kam dhe sot në një defter shënimesh.

1-Kapter Adil Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, kish vetëm 15 ditë në shërbim, i varfër dhe fatkeq. Më se 15 vjet kish qenë punëtor në lulishten e Tiranës. Burrë plak dhe tregonte i pafajshëm.

2-Xhandar Prenk Marku nga Koçinara e Kthellës.

3-Zef Simoni nga Fishta e Zadrimës.

4-Prenk Lek Shkreli, nga Malsija e Shkodrës.

5-Prenk Kol Marku, nga Kaçimara e Kthellës.

6-Pjetër Shkjalleshi, nga Kthella.

Pesë të fundit kishin më tepër se një vit shërbim; natyrisht në mos një herë, një herë do të kishin hedhur pleh në arën e fashizmit duke i bërë dëm arës Shqiptare, prandaj u kufizova vetëm të shpëtoj nga vdekja kapterin 15 ditësh dhe e shpëtova. Pesë xhandarët u pushkatuan. Kapterin sado që e kishim falur e morëm me vete për pëlqimin e Dushanoviçit.

U kthyem në qendër të brigatës, në Fravesh, atje porsa arritëm i dhamë raportet verbale komandantit terror Dushanoviçit. Në mes të tjerave referuam çështjen dhe vendimin e Adil Maksutit. Dushani, Sala ynë i dashur, i priti raportet tona me atë seriozitetin e tij njeringrënës dhe për kapterin tha: “Ani, ani, po le ta shohi dhe Tahiri një herë kapterin”.

Tahir Kadareja nga Gjionokastra, me fytyrën e tij të shëmtuar si gorillë, por me një zemër të eshkët, është Dushani dytë. Ky shkoi e pa kapterin dhe kur u kthye sipas shkeljes së syrit Dushani tha: “ai kapter duhet vrarë pse ka qenë milic më 1918”.

Ah, ç’fatkeqësi! I vrasin njerëzit pse kanë qenë milicë në 1918! Ah, ç ‘kontrast! Tahiri 6 vjeç në 1918 i mbështjellë me fustanin e fëmijërisë rreth avllisë së shtëpisë së tij në Gjirokastër, njeh Adil Maksutin nga Çamëria që ka qenë milic. Adil Maksutin e vranë. E vranë për dy gjëra; për të shuar etjen e gjakut që Dushani është i uritshëm të shohi orë e çast çurg gjaku nga trupat e shqiptarëve dhe e dyta për të marrë ato të shkreta rroba që kish veshur. Thomëni, thomëni e kundërshtomëni.

(Pjesë nga trakti i tretë. Teksti është korrektuar sipas gjuhës letrare)

Modifikuar më Diel, 26 July 2020 16:59
Login to post comments