Nga Kastriot Dervishi
Dega e 2-të e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në MPB, e cila kishte si lëndë pune organizatat “tradhtare” të Ballit dhe Legalitetit, klerin, mbrojtjen e pushtetit dhe organizatave të masave, nga kartoteka e elementit kundërshtar, nxori një listë me 10 persona. 6 prej tyre u ekzekutuan.
U ekzekutuan me vdekje më 26.2.1951 nga lista nr.2:
1-Ali Qorraliu (1889), lindur në Tiranë, ish pronar tokash. Shënohej tendenca e arratisjes dhe ndihma dikur ndaj Ballin Kombëtar.
2-Zyhdi Herri (1921), lindur në Tiranë, nëpunës. Cilësohej përfaqësues i Legalitetit e për kontaktet me misionet anglo-amerikane.
3-Gafur Jegeni (1909), lindur në Dibër të Madhe, ish oficer, i papunë. Thuhej se përhapte lajme “armiqësore” si “altoparlant i armikut”.
4-Petro Konomi (1921), lindur në Egjipt, nëpunës, origjina nga Përmeti. Punonte në ATSH para arrestimit. Dikur në lidhje me misionin e UNRRA-s. Kontrolli postar kishte kapur disa letra që i vinin nga jashtë.
5-Jonuz Kaceli (1908), lindur në Tiranë, tregtar. Shënohej se e paraqiste gjendjen e brendshme alarmante, komentonte radiot e huaja për ndërhyrje nga jashtë dhe ishte “betuar i pushtetit dhe s’pajtohet në asnjë mënyrë me të”.
6-Sabiha Kasimati (1912), lindur në Ederne (Turqi), profesoreshë, studiuese. Akuzohej se urrente lëvizjen komuniste, se fliste kundër reformave e mbante kontakte me “elementë armiq të burgosur apo ekzekutuar” si: Selahudin Toto, Tika Tezha, Azis Vrioni, Riazi Vlora, Lake Vila, Myqerem Janina, Gjergj Ashta, Eqrem Çabej, Stanislav Zuber, Ludovik Petrasi, Luigj Benusi, Rakip Strazimiri, Zorika Mano, gruan e Xhelal Mitrovicës, etj.
Nuk u dënuan me vdekje nga lista nr.2, por u burgosën:
1-Abdurrahman (Man) Toptani (1916), lindur në Tiranë, shtresë e pasur, kishte ndihmuar “me të gjitha forcat Ballin Kombëtar
2-Ali Murthi (1926), lindur në Tiranë, nëpunës, shtresë e pasur tregtare. Thuhej se mbante qëndrim armiqësor dhe komentonte vazhdimisht lajmet “reaksionare”.
3-Ibrahim Babamusta (1903), lindur në Kavajë e banues në Tiranë, profesor. Vihej në dukje se ishte “dojçkulturë” dhe se simpatizonte Mbretin Zog.
4-Aristidh Totozani (1889), lindur në Gjirokastër, avokat. Shënohej për fjalët: “Të bëhem njëherë komisar policie, pa të shohin këta”.