Nga Kastriot Dervishi
Krejt pa asnjë arsye apo bazë ligjore, në vitin 1948 doli një ligj për shtetëzimin e bagëtive. Dele, dhi, lopë, etj, u morën nga shteti. Deri këtë kohë, bagëtitë ishin konfiskuar nga dënimet politike apo marrë për efekte të ligjit të reformës agrare, por nuk ishin shtetëzuar. Në shënjestër u vunë pronarët që kishin mbi 400 kokë bagëti. Plot 505 pronarë tufash. Pavarësisht se nuk është një listë konkrete, mund të llogaritet një mesatare e shtetëzuar minimalisht në shifrat 300-400 mijë kokë bagëti.
Ligj nr.598, datë 11.5.1948, “Për shtetëzimin e tufave të mëdha të bagëtive”.
Duke parë se në tufat e mëdha bagëtish shpeshherë janë konstatuar spekulime dhe dëmtime jashtë masës me therje e shpërdorime të tjera;
Duke parë se pronarët e këtyre tufave nuk u përmbahen detyrimeve të tyre kundrejt shtetit si në dorëzimin e leshit, shitjen e qumështit dhe drithërave, të lëkurëve dhe bagëtive, megjithëse se pushtetit popullor ka bërë përpjekje për t’i siguruar kullota, ushqime të koncentruara, shërbime veterinare dhe favore të tjera;
Duke parë se shumë pronarë nuk kujdesen vetë për bagëtitë e tyre, por i shfrytëzojnë me anë të të tjerëve;
Duke parë të gjitha këto dëme të rënda që i shkaktohen ekonomisë së popullit;
Për të evituar këto dëme që i shkaktohen blegtorisë dhe me qëllim që të sigurohet zhvillimi i plotë dhe përparimi i këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë popullore, Kuvendi Popullor aprovon ligjin nr.598, datë 11.5.1948 “Për shtetëzimin e tufave të mëdha të bagëtive”.
Neni 1
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shpronësohen pa shpërblim dhe vihen në administrimin e shtetit me anë të një procesverbali të rregullt, të gjithë tufat e mëdha që kalojnë 400 kokë bagëti dhe gjëja e gjallë e personave që shënohen në listat që i bashkohen këtij ligji me inventarin e gjatë dhe të vdekur, mjetet e nevojshme për rritjen e bagëtive dhe për punimin e prodhimeve të blegtorisë. Listat e përmendura si dhe procesverbalet e shtetëzimit bëjnë pjesë të pandarë të këtij ligji.
Neni 2
Me vendim të qeverisë, pronarëve që i nënshtrohen shtetëzimit në bazë të këtij ligji, mund t’u lihen gjer në 400 kokë bagëti bashkë me inventarin dhe mjetet e nevojshme.
Neni 3
Përjashtohen nga shtetëzimi gjëja e gjallë dhe inventari i gjallë e i vdekur si dhe mjetet për rritjen e bagëtisë dhe për punimin e prodhimeve blegtorale të kooperativave blegtorale, të kooperativave fshatare të punës si dhe të anëtarëve të tyre.
Neni 4
Të gjithë ata, që në çfarëdo mënyre mundohen të pengojnë ose vështirësojnë zbatimin e këtij ligji dhe sidomos të gjithë ata që me çdo mënyrë zhdukin, dëmtojnë, fshehin ose kryejnë çdo akt tjetër me qëllim që të zhvlerësojnë pasurinë që i shtrohet shtetëzimit si dhe gjithë ata që japin informata jo të plota ose të rreme organeve të pushtetit ose të ngarkuarve të tyre për zbatimin e këtij ligji, dënohen në bazë të ligjit mbi tregtinë e ndaluar, spekulimin dhe sabotimin ekonomik.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë
***
Lista e pronarëve të shpronësuar:
-Lushnja, 25
-Vlora, 75
-Bicaj, 1
-Peqin, 1
-Elbasan, 14
-Gjirokastër, 40
-Skrapar, 14
-Ballsh, 29
-Shijak, 22
-Durrës, 5
-Shkodër, 24
-Përmet, 16
-Berat, 10
-Leskovik, 3
-Tiranë, 6
-Shupenzë, 2
-Mat, 3
-Tropojë, 1
-Krujë, 5
-Delvina, 20
-Mirditë, 3
-Kuçovë, 3
-Lezhë, 3
-Kukës, 2
-Librazhd, 7
-Koplik, 3
-Korçë, 4
-Tepelenë, 35
-Kuç, 3
-Kolonjë, 8
-Kavajë, 11
-Pogradec, 2
-Peshkopi, 1
-Sarandë, 78