Për të dhënë një shembull të mirë penal, për kontrabandën e futbollistëve të “Dinamos” filloi çështja penale. Midis të tjerash në njoftimin e organit të Hetuesisë së Përgjithshme, thuhej:
“Hetuesia filloi kryesisht në datën 23.4.1988 çështjen penale për krimin e kontrabandës së kryer nga futbollistët e klubit sportiv “Dinamo”. Skuadra e futbollit është nisur më 13.3.1988 me 14 futbollistë dhe 7 persona të tjerë që e shoqëronin. Kur kanë kaluar në doganën e Kapshticës janë bllokuar sendet ushqimore dhe pijet alkoolike që kishin me vete. Më datë 13.3.1988 në darkë, ekipi ka fjetur në qytetin e Aleksandropulosit në Greqi, ku kanë qëndruar deri në datë 17.3.1988 në mëngjes dhe janë nisur për në Stamboll. Gjatë rrugës përgjegjësi i ekipit Sokol Morina u ka dhënë futbollistëve dietën prej 52 dollarë për çdo person. Rreth orës 12.00 kanë mbërritur në Stamboll dhe janë lënë të lirë të dilnin në qytet për të blerë plaçka dhe në orën 16.00 të ktheheshin për t’u nisur.
Pjesëtarët e ekipit janë takuar me punonjësit e konsullatës dhe persona të tjerë me origjinë shqiptare, të cilët i kanë ndihmuar për të blerë sende të ndryshme me çmim më të ulët.
Rreth orës 18.00 janë nisur në drejtim të Greqisë dhe në orën 23.00 kanë arritur në Aleksandropulos, ku dhe kanë fjetur atë natë. Më 18.3.1988 në mëngjes janë nisur në drejtim të Shqipërisë dhe në Kavalla të Greqisë kanë qëndruar për 1 orë, me kërkesën e mjekut Pëllumb Karagjozi për të shpenzuar të hollat e dietës. Gjatë rrugës kanë ndaluar disa herë për të ngrënë drekë, pushuar apo pirë ujë. Në Kapshticë kanë mbërritur në orën 21.00, ku pasi kanë pritur në një nga zyrat e doganës për rreth gjysmë ore, deri sa të vinte përgjegjësi i doganës Diço Petrovski, ka filluar kontrolli.
Fillimisht është ushtruar kontroll në autobus dhe ka rezultuar se tek tavani, në vendin e grilave të gjendeshin të fshehur 45 shalle të lidhur 5 – 7 copë me njëri – tjetrin, në formë gjatësore dhe në sediljet nr.32, 37, 40, 43, 44 janë gjetur të fshehura 538 ora elektronike plastike, me rrip të zi, burrash, 10 ora elektronike, plastike grash, dy ora “Sejko 5”, 6 ora “Citizen” dhe 6 ora “Dvaras”. Jashtë autobusit janë gjetur 3 çanta sportive të fshehura, të cilat në përgjithësi kishin sende veshmbathje të reja brenda”.