Më 8.11.1995 Forumi Kombëtar i Intelektualëve Shqiptarë depozitoi një kallëzim penal në organin e akuzës për disa ish zyrtarë të lartë të regjimit komunist. Prokuroria i akuzoi për krimet e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Në përfundim, gjykata vlerësoi të drejtë vetë akuzën e krimeve kundër njerëzimit, sipas neneve 74, 67, 25 të Kodit Penal.
Me vendimin nr.414, datë 24.5.1996, Gjykata e Rrethit Tiranë, e kryesuar nga Luan Daci, me pjesëmarrjen e prokurorit Arian Sultafa, i deklaroi fajtorë personat e mëposhtëm:
-Zylyftar Qazim Ramizi, lindur në vitin 1934 në Aranitas të Mallakastrës, i arrestuar, vuante dënimin e parë. Ish zëvendësministër i Punëve të Brendshme (1982-1990). U gjet fajtor për përgatitje të dokumenteve për komisionin e internim-dëbimeve. U dënua me vdekje.
-Aranit Hysen Çela, lindur në vitin 1923 në Vlorë, i dënuar, vuante dënimin e parë. Ish kryetar i Gjykatës së Lartë dhe ish prokuror i përgjithshëm. U gjet fajtor për pjesëmarrje në komisionet e internim-dëbimeve. U dënua me vdekje.
-Rrapi Jovan Mino, lindur më 1934 në Lushnje, ish i dënuar. Ish prokuror i përgjithshëm. U gjet fajtor për pjesëmarrje në komisionet e internim-dëbimeve. U dënua me vdekje.
-Haxhi Halit Lleshi, lindur në vitin 1913 në Reshan, Dibër, në arrest shtëpi, pa roje. Ish kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1953-1982), ish ministër i Punëve të Brendshme (1944-1946). u gjet fajtor për nënshkrimin e dekreteve të internim-dëbimeve. U dënua me burgim të përjetshëm.
-Manush Hajdar Myftiu, lindur më 1919 në Vlorë, ish zëvendëskryeministër. I dënuar me kusht. U gjet fajtor për pjesëmarrje në komisionet e internim-dëbimeve. U dënua me burgim të përjetshëm.
Midis të tjera në vendim thuhej: “Gjithashtu gjatë hetimit gjyqësor u provua se veprimtaria kriminale e të pandehurve...ka qenë një veprimtari permanente konsekuente dhe aspak spontane apo episodike, për të realizuar strategjinë e persekutimit të këtyre njerëzve që në mënyrë masive ideologjia e shtetit të asaj kohe, ekzekutuar nga këta të pandehur, u kishte vënë emrin “të deklasuar”, “kulakë”, “antiparti”, etj dhe ata duhet të internoheshin, dëboheshin e të shpërnguleshin nga jeta civile dhe të privoheshin nga të drejtat e tyre si shtetas që garantonte formalisht statusin themelor të shtetit të asaj kohe”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.526, datë 24.7.1996, la në fuqi vendimin e shkallës së parë për sa i takonte cilësimit të veprës penale, por ndryshoi dënimet. Z.Ramizi u dënua me burgim të përjetshëm. A.Çela dhe Rr.Mino me nga 25 vjet heqje lirie. Dy të dënuarit e tjerë që ishin në kushte spitali, u dënuan me 5 vjet me kusht, duke u urdhëruar lirimi i tyre. Tre të dënuarit dolën nga burgjet kur u hapën ato më 13.3.1997.
Gjykata e Kasacionit me vendimin nr.344, datë 29.9.1997, pushoi çështjen ndaj të dënuarve, duke i deklaruar të pafajshëm. Në rrethanat e reja të krijuara nga ngjarjet e 1997-s, një proces me akuza të rënda, përfundoi sikur kishte qenë fare i parëndësishëm.