Padyshim një pre revoltave më të rëndësishme antikomuniste është ndodhia e Spaçit. Në pranverën e lartët të vitit 1973, më 21 – 22 majit 1973 të burgosurit politikë sfiduan diktaturën edhe në segmentin më të hekurt të saj. Ata u revoltuan kundër regjimit si dhe ngritën flamurin kombëtar pa yllin e kuq stalinist. Pas revoltës së të burgosurve politikë në Spaç, forcat komuniste kanë mundur ta thyejnë qëndresën me anë të forcave të shumta. Me frikën se mos kjo revoltë përhapej edhe në kampe e burgje të tjera, ato kanë qenë të pamëshirshëm në dhënien e dënimeve me vdekje, të cilat i kanë shpallur brenda ditës. Në një analizë të bërë ato ditë nga organet e sigurisë vihej theksi se kontingjenti i burgosur në Spaç ishte “armik klase” që dëshironte të përmbyste “pushtetin popullor”. Sipas kësaj analize ky kontingjent nuk kishte përkrahur luftën nacionalçlirimtare dhe vazhdonte të qëndronte në pozita të palëvizshme kundër regjimit komunist.
Në të vërtetë nëse do të vëresh me kujdes parullat e hedhura nga të burgosurit do të vësh re shpirtin e madh të lirisë tek ta, sigurisht shoqëruar kjo me një guxim të madh. Këtu kemi parasysh se jemi në prag të goditjeve të mëdha të fillimviteve ’70, pikërisht kur u prenë kokat e disa drejtuesve të lartë të qeverisë komuniste me akuza nga më të ndryshme.
Për këtë ngjarje janë dënuar me procese speciale në Tiranë, disa grupe, duke u ndarë në grupet e revoltës përgjithësisht dhe ai i flamurit veçanërisht. Parullat e hedhura nga të burgosurit gjatë revoltës ishin: "Ja vdekje ja liri", “Ne nuk punojmë as sot as mot”, "Ju jeni katila", “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”, "Ushtria është me ne”, “Populli është me ne dhe kundër jush”, "Shokë ushtarë dorëzoni armët”, “Ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi”, “Do t'ju djegim si Stalini", “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “Poshtë komunistët”, “Rroftë Europa e lirë”, etj. U zhvilluan gjithsej 5 procese penal. Dolën në gjyq 66 të dënuar. U pushkatuan:
Skënder Qemal Daja
Dervish Enver Bejko
Hajro Zenel Pashaj
Pal Gjergj Zefi
Nga grupi i të ridënuarve, figurojnë në krye të listës me burgime të gjata:
-Sami Selim Dangëllia: 38 vjet (vdiq në burg)
-Sali Man Çuni: 32 vjet, 8 muaj, 13 ditë
-Mersin Adem Vlashi: 31 vjet, 2 muaj e 26 ditë
-Spiro Aristidh Nasho: 28 vjet, 6 muaj, 15 ditë
-Dervish Tefik Sulo: 27 vjet, 3 muaj, 24 ditë