Pa marrë parasysh asgjë nga legjislacioni ynë, por duke iu referuar përkthimeve të gabuara që vinin nga jashtë, këto vitet e fundit në fjalorin e përditshëm ka hyrë përdorimi i fjalës “i zhdukur”, për personat që nuk u dihen eshtrat, të cilët kanë humbur jetën gjatë periudhës së komunizmit. E vërteta është se në masën 99.99% këta persona figurojnë të regjistruar të vdekur në gjendjen civile, sepse janë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, janë vrarë në kufi apo në përpjekje me forcat e regjimit, kanë vdekur në hetuesi ose kampe e burgje. Në këtë kuptim, ata nuk janë persona për të cilët nuk dihet në jetojnë apo jo. Vetëm një pjese të tyre nuk u dihet vendvarrimi dhe eshtrat, por jo se janë “të zhdukur” apo se nuk ka paqartësi për fatin e tyre. Termi “i zhdukur” përdoret për çdo person për të cilin ka dyshime se mund të jetojë dhe me kalimin e viteve, duke u zbehur kjo shpresë, konsiderohet i tillë. Të shohim legjislacionin tonë.
Kodi i Procedurës Civile, miratuar me ligjin nr.8116, datë 29.3.1996, i ndryshuar, kapitulli VI “Shpallja e zhdukjes ose e vdekjes së një personi”, nenet 375-381, parashikon se “kërkesa për shpalljen e një personi të zhdukur ose të vdekur”, paraqitet në gjykatë nga çdo person i interesuar, nga noteri dhe prokurori (ku ka pasur vendbanimin e fundit i zhdukuri). Kërkesa duhet të shpjegojë rrethanat e zhdukjes ose vdekjes së personit dhe ata që janë trashëgimtarë të tij. Kërkesa dhe vendimi i gjykatës botohet i shkurtuar në “Fletoren Zyrtare”. Pas kësaj, zyra përkatëse e gjendjes civile bën shënimin përkatës. Këta të “zhdukurit” e pretenduar, sidomos ata të formulës 6 mijë shumëzuar me 2 mijë euro, nuk janë të tillë sepse për ta nuk ka pasur asnjë proces dhe asnjë shpallje apo vendim nuk është botuar në “Fletores Zyrtare”. Rendni pas këstit të radhës tani.