70 vjet më parë, më 13.5.1948, në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, kreu i saj, në analizë të situatës se re që po zhvillohej për të kaluarën e partisë së vet, si dhe për marrëdhëniet e saj me Partinë Komuniste Jugosllave, deklaroi se ka qenë një vartës i Titos e nuk e kuptonte ndryshe detyrën e tij e po ashtu nuk e kuptonte çfarë ishte pavarësia. Procesverbalit të mbledhjes në fjalë, i cili është ndër më të turpshmit në historinë e kësaj partie, vetë Enver Hoxha i ka bërë korrigjime (ato me ngjyrë të kuqe), duke synuar moskuptimin e qartë të deklarimit të parë.
Ky deklarim i Hoxhës do të thotë se për çdo gjë që komunistët krenohen deri këtë kohë, duhet të drejtohen më parë me respekt te figura e mareshalit Tito, që siç ka thënë në qindra fjalime të kohës E.Hoxha, ishte “miku më i madh i popullit shqiptar”. Në vitin 1948, Shqipëria nën drejtimin e E.Hoxhës, lutej për të realizuar sa më parë projektin e madh të federatës midis Jugosllavisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë me kryeqytet Beogradin, një projekt që nuk u realizua për shkak të konfliktit të Stalinit me Titon.
Deklarimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e 13 majit 1948
“Ne kishim besim te Titoja si njeriu që vjen pas Stalinit. Ahere thashë se Tito është sekretari i partisë sonë dhe kjo tregon se nuk e kishim të qartë independencën”.