Nga Kastriot Dervishi
Pas dënimit të grupit të grupit të parë të revoltës së Spaçit, në Tiranë u zhvilluan hetimet për grupin e dytë, që quhet “grupi i flamurit”. Të dënuarit brenda kampit të Spaçit guxuan dhe hoqën qelbin komunist, yllin e kuq nga flamuri, atë simbol të urryer që e nxjerrin sot në lloj-lloj aktivitetesh vijuesit e veprës së persekutorëve.
Hetues të këtij grupi ishin: Vangjel Kote, KoçoJosifi, Irakli Kocani, Skënder Sadikaj, Skënder Myftatari, Isa Halilaj, Dhimitraq Shkodrani, Seit Sulaj, Llambi Gegeni, Fejzo Aloçi, Florian Kolaneci, Dhimo Sinani, Izet Hasani, Rustem Çipi, Ali Xhunga. Shihen të pranishëm edhe: Andon Butka, Llambi Bako, Idriz Seiti, Xhevdet Miloti, Lilo Rrapo.
Në aktakuzën kundër këtij grupi, ndër të tjera thuhej:
“Të pandehurit e mësipërm, si elemente kryesore në këtë revoltë kundërrevolucionare dhe me qëllim për t’i dhënë hov dhe ngritje më të lartë revoltës, më datën 22 maj 1973 ngritën një flamur duke vendosur një beze të kuqe dhe pikturuar në të shkabën. Pas kësaj të pandehurit shkojnë nëpër kapanone dhe njoftojnë të dënuarit e tjerë duke u bërë thirrje këtyre që të dalin përjashta mbasi do të këndohej himni i flamurit. Të pandehurit në vazhdim të veprimtarisë së tyre armiqësore shkatërrojnë stendat e emulacionit socialist dhe me to ndezin zjarr në oborrin e kampit. Në kohën që kryhen veprimet e mësipërme të pandehurit duke nxitur edhe të dënuarit e tjerë në kamp, vazhduan thirrjet, brohoritjet dhe shprehje armiqësore: “Ja vdekje ja liri”, “Poshtë komunizmi”, “Poshtë qeveria e Tiranës”, “Keni 30 vjet që po na robëroni”, etj. Të pandehurit përveç veprimeve të mësipërme, kanë shkruar parulla armiqësore të cilat i kanë varur nëpër muret e ndërtesave të kampit. Në këto parulla ju bëhej thirrje të dënuarve për të qëndruar të bashkuar, për të vazhduar revoltën, për të mos dalë në punë dhe për të vazhduar kërkesat e tyre. Kjo veprimtari me rrezikshmëri të theksuar armiqësore dhe me pasoja veçanërisht të rënda, formon krimin e parashikuar nga neni 73/II të i Kodit Penal”.
Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e përbërë nga Filip Lako kryetar dhe Gjin Pali e Pjetër Nikolli ndihmësgjyqtarë, me pjesëmarrjen e prokurorit Zef Deda me vendimin nr.29, datë 30.6.1973, i deklaroi fajtorë të pandehurit dhe përveç konfiskimit të pasurisë dhe humbjen e të drejtës zgjedhore i dënoi si vijon:
-Me 25 vjet: Fehti Kumanaku, Pal Marku
-Me 23 vjet: Bedri Çoku, Murat Marta
-Me 22 vjet: Jonuz Norja
-Me 20 vjet: Ndroc Coku, Hasan Hibo
-Me 17 vjet: Shuaip Ibrahimi
-Me 16 vjet: Dervish Sulo, Mersin Vlashi, Haxhi Bena, Elez Hoxha, Neim Pashaj, Naim Uka
-Me 15 vjet: Qemal Demiraj, Tomor Allabeu
Katër të pandehur dolën të pafajshëm. U la në fuqi me vendimin nr.1158, datë 15.8.1973