Nga Kastriot Dervishi
Dënimi i grupit të tretë të revoltës dhe historia e të dënuarit që u vra në Spaç
Pasi hetimet për grupin e tretë u zhvilluan në Tiranë, gjykimi u bë në Rrëshen. Me vendimin nr.34, datë 13.7.1973 Gjykata Popullore e Rrethit të Mirditës, e përbërë nga Filip Lako dhe ndihmësgjyqtarët Pjetër Nikolli e Gjin Pali, duke pasur pranë prokurorin Zef Deda dha vendimin për grupin e tretë, natyrisht shoqëruar me konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore. Vendimi:
Me 25 vjet: Kostandin Papaj
Me 20 vjet: Rexhep Lazri, Sali Çuni
Me 18 vjet: Sherif Allamani
Me 16 vjet: Hulusi Pashollari, Fatmir Llagami, Bashkim Fishta
Me 15 vjet: Bebi Konomi, Njazi Bylykbashi
Me 14 vjet: Agron Xhelili
Me 13 vjet: Mirash Gjoka, Refik Beqo, Nuri Stepa
Me 12 vjet: Gëzim Çela
Një i pandehur u deklarua i pafajshëm.
U la në fuqi me vendimin nr.1301, datë 8.9.1973 të Gjykatës së Lartë.
Historia e Refik Zenel Beqos (1940-1979), nga Parisi në Spaç
Me këtë grup është ridënuar edhe Refik Beqo nga Sutaj i Librazhdit, jeta e të cilit përfundoi në Spaç. Jetonte në Paris si i arratisur, por në vitin 1957 nga amnistia e shpallur së kthehet në Shqipëri. I zhgënjyer nga jeta e keqe, puna në kooperativë, etj, tenton të arratiset në 10.10.1960, por arrestohet. Për këto arsye, Gjykata Ushtarake e Tiranës, me funksione në Librazhd, e dënon me 20 vjet burg. Në revoltën e Spaçit, ridënohet me 13 vjet të tjera burgim. Lirohet nga burgu më 21.1.1977, por internohet menjëherë. Orvatet sërish për arratisje pasi largohet nga vendi i internimit (njëra akuzë), por më 20.7.1977 arrestohet prapë dhe dënohet me 12 vjet heqje të lirisë, i akuzuar edhe për agjitacion e propagandë. Arratisja e fundit ishte brenda kampit të Spaçit më 12.6.1979, por u vra nga rojet dhe u varros atje ku kaloi vitet më të zeza të jetës së tij. Vuajti 19 vjet burgim të cilat i përfundoi me humbjen e jetës.