Nga Kastriot Dervishi
Revolta e Qafë Barit pasi u shtyp prej regjimit çoi në dënimin e 12 të burgosurve, dy prej të cilëve me vdekje, pushkatim. Ata kishin përkatësisht 4 dhe 6 vjet që vuanin dënimet.
-Tom Kolë Ndoja, lindur në Kllogjen të Shkodrës, lindur në vitin 1952, arrestuar më 11.3.1978.Gjykata e Rrethit Pukë, me vendimin nr.63, datë 21.11.1978, e deklaroi fajtor në një proces të zhvilluar në Fushë Arrëz për "agjitacion e propagandë e sabotim. Akuzohej se i ishte kundërvënë politikës së partisë në fushën ideologjike të mbrojtjes e për këtë arsye ishte dënuar me 25 vjet burgim.
-Sokol Zef Sokoli, lindur në Tropojë në vitin 1949, arrestuar më 31.12.1980. Pas disa vendimesh të kthyera, me vendimin nr.20, datë 27.3.1981 Gjykata e Rrethit të Tropojës e deklaroi fajtor për akuzën e "tradhtisë ndaj atdheut" dhe dënoi me 15 vjet burgim.
Pasi çështja u rikthye njëherë për gjykim, me vendimin nr.3, datë 3.6.1984 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me veprim në Pukë me kryesues Lili Robon dhe prokuror Skënder Brecën, dha vendimin kundër të pandehurve duke dënuar me vdekje, pushkatim Sokol Zef Sokolin dhe Tom Kolë Ndojën. Të dënuarit e tjerë u dënuan me burgime të zgjatura, përfshi edhe një të dënuar që ishte me paterica.
Vendimi u ekzekutua nga DPB Shkodër në vendin e quajtur antenat në Kuç, më 9.6.1984. Dy ditë më parë, Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi faljen e jetës. Sipas shënimit të datës së ekzekutimit, të dënuarit nuk u qëlluan në kokë si zakonisht, por në gjoks. Kjo sepse pas vrasjes, sytë iu nxorën për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë “për punë shkencore”. Për shumë vite nuk dihej vendi i varrosjes së tyre. Jam ndjerë mirë që gjeta dokumentacionin e vendit të varrimit të tyre si dhe faktin makabër të heqjes së syve pas vdekjes. Eshtrat e tyre u gjetën në vitin 2011, në kohën kur u inventarizuan dokumentet ku ndodhej edhe skema e varrimit, ndër të rrallat e trashëguara në arkivat tona.
Sipas fashikullit të të burgosurit, më 25.5.1984 ka vdekur i dënuari Sandër Zog Sokoli, lindur më 1935 në Dragobi, i arrestuar më 14.3.1979, ish oficer i ushtrisë, dënuar me 12 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Të dënuarit e revoltës tregojnë se ai është vrarë duke u torturuar, ndërsa nëpër dokumente sigurisht ky fakt nuk ekziston.