Kryeministri japonez Shinzo Abe dhe Presidenti Donald Trump kanë theksuar shpresat për takimin mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, por duke shtuar se takimi i 12 qershorit në Singapor është vetëm hapi i parë i një procesi të gjatë për të hapur rajonin drejt paqes dhe stabilitetit.
Zoti Abe dhe zoti Trump morën pjesë në një konferencë të përbashkët për shtyp në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.
Zoti Abe po zhvillon një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, për t’i bërë të ditur Presidentit Donald Trump interesin e Japonisë lidhur me takimin historik të nivelit të lartë me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.
Kryeministri Abe mbërriti dje në SHBA.
Para nisjes për në Uashington zoti Abe tha se qeveria e tij dëshiron të shohë përparim në kufizimin e programit bërthamor dhe të raketave balistike të Koresë së Veriut. Ai tha se dëshiron që zoti Trump të diskutojë me udhëheqësin e Phenianit për çështjen e shtetasve japonezë të rrëmbyer nga Koreja e Veriut gjatë viteve 1970 dhe 1980.
Përpara takimit Trump-Kim në Singapor, udhëheqësit e Kinës dhe Koresë së Jugut janë takuar dy herë me udhëheqësin e Koresë së Veriut.
Edhe pse kryeministri Abe ka sinjalizuar se është i hapur për bisedime me Phenianit, deri tani nuk ka patur një takim mes tyre.