Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Katari nuk mund të bëhej anëtar i NATO-s. “Sipas nenit 10 të Traktatit të Uashingtonit, traktat themelues i NATO-s, në aleancë mund të anëtarësohen vetëm shtetet që janë në Evropë dhe Amerikën Veriore”, tha ai.
Katari shprehu pak ditë më parë dëshirën për anëtarësim në NATO. Ndërkohë, ai shtoi se misioni i trajnimit në Irak do të fillonte pas kërkesës së këtij vendi.
Stoltenberg në një deklaratë për media para takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s foli edhe në lidhje me pikat kryesore të rendit të ditës së takimit. Ai tha se takimi ka për qëllim përgatitjen e Samitit të NATO-s në Bruksel, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm.
Stoltenberg tha se ministrat e Mbrojtjes do të diskutojnë për çështje të ndryshme si forcimi i kapacitetit të mbrojtjes, lëvizja ushtarake, mbrojtja kibernetike, lufta kundër terrorizmit dhe bashkëpunimi në marrëdhënien BE-NATO.