Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka arritur në Singapor, ku më 12 qershor do të mbajë një samit historik me liderin verikorean, Kim Jong Un.
Trump arriti në Singapor, vetëm disa orë pasi avioni i Kimit arriti po ashtu në Singapor, ku dy liderët do të takohen për herë të parë për të diskutuar për programin bërthamor të Phenjanit dhe denuklearizimin e Gadishullit Korean.
Që të dy liderët janë pritur nga ministri i Jashtëm i Singaporit, Vivian Balakrishnan.
Trump dhe Kim do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Singaporit, Lee Hsien Loong.
Gjatë të shtunës, Trump kishte deklaruar se takimi i 12 qershorit, është “shansi i vetëm” për Korenë e Veriut
Në delegacionin e Trumpit për këtë samit është edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, këshilltari për siguri kombëtare, John Bolton, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe sekretarja për media Sarah Sanders.