Presidenti i Kenias Uhuru Kenyatta ka intensifikuar luftën kundër korrupsionit duke deklaruar se të gjithë punonjësit e sektorit shtetëror do t’i nënshtrohen një vetingu të detyrueshëm lidhur me burimin e pasurisë e zotërimeve. Njoftimi i presidentit pason një numër skandalesh të bujshme për zhdukjen e miliona dollarëve nga fondet e agjencive të ndryshme qeveritare nga afere korruptive të disa zyrtarëve qeveritarë.
Presidenti Kenyatta ofroi të bëhet udhëheqësi i parë që i nënshtrohet vetingut, me synimin për të penguar shpërdorimin e fondeve publike. Ai tha se punonjësve të sektorit shtetëror do t’u kërkohet të shpjegojnë burimet e pasurisë me qëllim që të përjashtohen ata që kanë vjedhur fonde të qeverisë.
“Duhet të na tregosh: këtë shtëpi ke, këtë rrogë merr, si arrite ta paguash shtëpinë? Makinën që ke, mos u përpiq ta regjistrosh në emër të gruas, të djalit, ne e dimë se është e jotja, si arrite ta blesh? Duhet ta shjegosh. Unë do të jem i pari që analizohem nga ky proces,” tha presidenti.
Gjatë muajve të fundit janë bërë publike një numër skandalesh me tendera dhe kompani furnizuese për nevojat qeveritare, që kanë treguar përvetësimin e miliona dollarëve nga zyrtarë në institucione qeveritare.
Deri tani më shumë se 40 zyrtarë, si dhe biznesmenë janë arrestuar lidhur me skandalet.
Këtë javë, Kenyatta nxori një urdhër ekzekutiv ku kërkon nga zyrtarët dhe institucionet qeveritare të bëjnë publike të gjitha të dhënat e tenderave dhe kontratave të dhëna që nga 1 korriku 2018.
Më 1 qershor, Presidenti Kenyatta dha urdhër për përsëritjen e vetingut për të gjithë krerët e agjencive të prokurimit dhe të auditimit. Ai tha se vetingu do të përfshijë edhe teste me poligraf për të vërtetuar nëse zyrtarët po deklarojnë të vërtetën.