Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se ai ka udhëzuar agjencitë federale të bashkojnë familjet emigrante të ndara pas kalimit të paligjshëm të kufirit nga Meksika.
"Ne duam t'i bashkojmë ata," tha zoti Trump gjatë një takimi të kabinetit të enjten, ndërsa zonja e parë, Melania Trump, po vizitonte një qendër paraburgimi për fëmijët emigrantë në MekAlen të Teksasit.
Që nga muaji prill, më shumë se 2,000 fëmijë janë ndaluar duke u ndarë nga prindërit. Zemërimi publik që shkaktuan imazhet e të rinjve të ulur pas telave dhe zëri i fëmijëve duke qarë të transmetuara në të gjithë botën javën e kaluar bënë që Presidenti Trump të nënshkruante një urdhër ekzekutiv për ndalimin e ndarjes së fëmijëve nga të rriturit emigrantë.
Por, mbetet e paqartë sesi zyrtarët do t’i trajtojnë çështjet ligjore që lidhen me emigrantët e paligjshëm. Një gazetar i Zërit të Amerikës që ishte në një seancë dëgjimore për emigrantët në Braunsvil të Teksasit të enjten në mëngjes tha se prokurorët kanë hequr akuzat për kundërvajtje kundër 17 emigrantëve. Por Departamenti i Drejtësisë më vonë insistoi se nuk po i heq akuzat ndaj emigrantëve të ndaluar.
Avokatët e Departamentit të Drejtësisë të enjten i kërkuan një gjyqtari federal në Kaliforni të merrte urgjentisht një vendim që do t'u lejonte të ndalonin të miturit bashkë me kujdestarët e tyre ligjorë deri në zgjidhjen e rasteve të imigracionit. Autoritetet mund t’i mbajnë familjet në qendrat e paraburgimit vetëm për 20 ditë. Mesatarisht, çdo rast i tillë kërkon 721 ditë për t'u zgjidhur.
David Bier, analist i politikës së emigracionit në Institutin Libertarian Cato tha se kjo tregon edhe më qartë se qëllimi i këtyre ndjekjeve penale është për të ndarë prindërit nga fëmijët dhe jo për zbatimin e ligjit".
Politika e administratës së Trump kërkon që kushdo që kalon kufirin në mënyrë të paligjshme të përballet me akuza penale. "Nëse disa ose shumë prej këtyre rasteve nuk pranohen nga gjykatat, atëherë kjo duhet të shënojë fundin e kësaj politike", shtoi zoti Bier.
Presidenti, gjatë takimit të kabinetit të enjten, vazhdoi të ankohet se ligjet amerikane të emigracionit, janë sipas tij disa nga më të këqijat në botë.
"E gjithë bota na qesh dhe e bën prej vitesh," tha zoti Trump. Presidenti shpjegoi se ajo që ai nënshkroi një ditë më parë ishte "një urdhër i mirë ekzekutiv, por është i kufizuar pavarësisht se si e zbaton”. Ai nguli këmbë se për këtë arsye kërkohet që Kongresi të nxjerrë me urgjencë një ligj për emigracionin.
"E vetmja zgjidhje e vërtetë është që të bëhemi bashkë për mbyllur të çarat e ligjit ekzistues që ka disa të çara, të cilat bëjnë që emigrantët e paligjshëm të kapen dhe pastaj të lëshohen përsëri”, tha zoti Trump. "Nëse nuk i mbyllim këto të çara, nuk e zgjidhim dot këtë krizë sado para të përdorim".
Të enjten, Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë me 193 vota kundër dhe 31 pro një nga dy projektligjet e emigracionit, për të cilin zoti Trump u tha gazetarëve se ai është "i gatshëm dhe i aftë ta nënshkruajë shumë shpejt." Nuk është e qartë nëse ekzistojnë votat e mjaftueshme për të miratuar një projektligj tjetër kompromisi që do të hidhet në votë të premten./VOA/