Ngjalat e lumenjve evropianë në rrezik si pasojë e përqendrimit të lartë të kokainës. Rezulton se gjurmët e drogës që janë gjetur në sasi të larta në lumenjtë e Evropës, veçanërisht pranë qyteteve të mëdha, mund të vënë në rrezik mbijetesën e peshqve, në rastin më konkret edhe të ngjalave.
Një studim i publikuar së fundmi në Science Of The Total Enviroment, shpjegon se janë kryer disa prova mbi këto gjallesa në kushte laboratori.
Ngjalat evropiane janë futur në vaska të mbushura me ujë dhe më të njëjtën sasi kokaine që është gjetur në lumin Tamis të Londrës. Janë dashur vetëm pak ditë dhe rezultoi se substanca ishte përqendruar në tru, ne muskuj, lëkurë dhe inde të tjera.
Muskujt paraqitën dëmtime të mëdha, u vërejtën edhe ndryshime të mëdha hormonale dhe problem vazhdoi edhe pas 10 ditë rehabilitimi.
Sipas autorëve të studimit, u zgjodhën pikërisht ngjalat pasi janë peshq që kanë shumë yndyrë, gjë që favorizon akumulimin e substancave. Por ky mund të jetë problem i të gjithë peshqve që popullojnë lumenjtë e kontinentit tonë. /Klan Plus