SHBA ka një plan për të arritur paqen mes Izraelit dhe Palestinës. Deklaratën e ka bërë këshilltari i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Ai tha se administrata Trump “thuajse ka përfunduar” planin e saj për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve, duke shtuar se pala palestineze nuk ka ofruar ide gjatë përgatitjes së planit.
Kushner thotë se nuk beson që Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka aftësinë apo vullnetin për të arritur një marrëveshje paqeje me Izraelin. “Ai u përmbahet të njëjtave argumente që ka pasur për 25 vjet. Dhe në 25 vjet nuk ka pasur një marrëveshje për paqe,” tha zoti Kushner në një intervistë për gazetën palestineze Al Quds.
Jared Kushner dhe i dërguari amerikan Jason Greenblatt zhvilluan bisedime me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të premten dhe të shtunën. Më parë ata u takuan me zyrtarë në Jordani, Arabi Saudite, Katar dhe Egjipt.
Këshilltari i Presidentit Trump tha se udhëheqësit arabë janë pro idesë së krijimit të një shteti palestinez. Ai shtoi se nëse Presidenti Abas është gati të kthehet në tryezën e bisedimeve, ata janë të gatshëm të angazhohen në dialog me të; përndryshe “ka shumë gjasa që ta njoftojmë planin publikisht”.