Qeveria turke ka vendosur që të heqë gjendjen e jashtëzakonshme, që u vendos pas tentativës për grusht shteti. Mësohet se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe partneri i tij qeverisës ranë dakord që të mos e vazhdojnë gjendjen e jashtëzakonshme, kur periudha e saj aktuale tremujore të skadojë në korrik.
Turqia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016. Erdogan premtoi se do ta shfuqizonte atë nëse do të fitonte në zgjedhjet presidenciale të 24 qershorit. Pasi fitoi me 53% të votave duke e zgjatur mandatin e tij së paku deri në vitin 2023, erdhi dhe ky vendim.
Gazeta pro-qeveritare Sabah raportoi se Erdogan dhe udhëheqësi i partisë Lëvizja Nacionaliste, Devlet Bahceli, ranë dakord që të mos e vazhdojnë gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërkohë, kritikët thanë se Erdogani e ka shfrytëzuar atë për të heshtur zërat kritikë. Sipas Ankarasë, ajo ka qenë e nevojshme për të shmangur kërcënimet për sigurinë.