Australia ka nisur një skemë kompensimi për viktimat minorene të abuzimit seksual insititucional. Rreth 60 000 australianë përfshihen nga ky plan, që njihet si Skema kombëtare e dëmshpërblimit
Autoritetet australiane besojnë se skema prej 4 miliard dollarësh australianë apo 3 miliard dollarësh amerikanë, do të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes për viktimat.
Dëmshpërblimi financiar ishte një prej rekomandimeve kyç të Komisionit Mbretëror për tu përballur me abuzimin e fëmijëve që zgjati me dekada në institucionet australiane.
Për 5 vjet, komisioni mbretërorë hetoi abuzimet e kryera në organizata fetare, shkolla, organizata bamirëse, klube sportive, jetimore, shkolla riedukimi e të tjera. në fund të hetimit, komisioni paraqiti shumë rekomandime që u pranuan thuajse tërësisht nga qeveria australiane. Shumë organizata shtetërore dhe grupe fetare, përfshirë kishën katolike, i janë bashkuar skemës së dëmshpërblimit.
Por kjo e fundit ka një kleçkë, ata që pranojnë dëmshpërblimin heqin dorë nga e drejta për ta paditur institucionin ku janë abuzuar. Shpërblimi maksimal për viktimat është llogaritur në 150 000 dollarë australianë dhe ai mesatar llogaritet në 67 000 dollarë.
Një pjesë e ekspertëve e kanë sulmuar skemën e dëmshpërblimit për shifrat që ata mendojnë janë qesharake krahasuar me abuzimin e pësuar, ndërsa gjithashtu thonë se heqja në të drejtës së padisë në këmbim të parave është një mënyrë për të mbyllur sa më shpejt problemet e institucioneve të përfshira në abuzimin e fëmijëve.