Numri zyrtar i viktimave që uragani Maria la pas në ishullin e Karaibeve ishte 64, por në një raport, i cili i drejtohet Kongresit amerikan, shifra që japin autoritetet portorikane është shumë herë më i lartë.
Autoritetet në Porto Riko kanë vlerësuar se uragani Maria ka vrarë më shumë se 1,400 persona, shumë më tepër se sa numri zyrtar i vdekjeve prej 64 personash. Shifra e re përmendet në një raport drejtuar Kongresit amerikan, ku kërkohen miliarda dollarë për të ndihmuar ishullin të rimarrë veten nga stuhia shkatërruese.
Mbështetur në statistikat e raportuara për herë të parë në muajin qershor, qeveria njoftoi se nga shtatori në dhjetorin e vitit 2017, ka pasur 1,427 vdekje më shumë sesa mesatarja e së njëjtës periudhë kohore, katër vite më parë.
Në raportin drejtuar Kongresit, ku detajohet një plan rindërtimi prej 139 miliardë dollarësh, qeveria e Porto Rikos thotë se vdekjet e tjera ndodhën nga pasojat e një stuhie që çoi në një “dështim kaskadë” në infrastrukturën e të gjithë ishullit me 3.3 milionë banorë.
Uragani Maria, si dhe ai Irma dy javë më vonë, goditën fuqishëm ishullin, duke shkaktuar përmbytje masive, si dhe duke lënë shumë të njerëz të sëmurë e të moshuar në pamundësi për të marrë trajtim mjekësor.
“Efektet shkatërruese të uraganeve në shëndetin dhe sigurinë e njerëzve nuk mund të ekzagjerohen”, thuhet në raportin e qeverisë që kërkon ndihmë nga Kongresi për të ndihmuar në rindërtimin e një ishulli që po luftonte me një krizë të thellë ekonomike kur u godit nga stuhia.
Disa javë pas stuhisë, zyrtarët portorikanë njoftuan se stuhia shkaktoi 64 vdekje, shumë prej të cilave ishin pasojë e rrëshqitjeve të tokës, apo përmbytjeve. Por për një kohë të gjatë ata kanë deklaruar publikisht se shumë të tjerë vdiqën për shkak të pasojave indirekte të stuhisë së fuqishme.
Numri i saktë i viktimave ka qenë një çështje debati dhe qeveria vetë publikoi në qershor shifrën prej 1,427 personash