Plot 48 persona janë vrarë dhe 67 janë plagosur në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, thotë ministria e shëndetësisë në vend, si pasojë e një sulmi kamikaz.
Policia thotë se një person ka kryer një sulm kamikaz në një qendër arsimore private në Kabul.
Viktimat besohet se janë adoleshentë të cilët po merrnin mësim shtesë pasi po përgatiteshin për provimet e pranimit në universitet. Talibanët kanë mohuar përfshirjen.
Komuniteti Shia në Afganistan është vënë në shënjestër nga ekstremistët muslimanë sunitë të grupit të Shtetit Islamik, i cili e konsideron praktikën Shia të Islamit si heretikë.
Sipas raportimeve ky është sulmi i dytë i përgjakshëm brenda ditës në kryeqytetin afgan.
Të paktën 35 ushtarë afganë dhe nëntë policë u vranë në një sulm nga talebanët në orët e para të mëngjesit në një bazë ushtarake në krahinën veriore të Baghlanit, Afganistan. Ky ishte sulmi i fundit i një seri sulmesh të përgjakshme të ndërmarra nga talebanët në krahinat e ndryshme të vendit.
Të paktën 100 anëtarë të forcave të sigurisë u vranë në luftimet në Ghazni, thanë zyrtarët, me njoftime të pakonfirmuara se dhjetëra civilë gjithashtu vdiqën.