Ende nuk është bërë nxjerrja e të gjithë viktimave të mbetur nën rrënojat e urës Morandi në Genova. Pasi mendohet se nën rrënoja ndodhet dhe një trup. Paola nuk dëshiron të largohet. Që prej të martës ajo qëndron afër rrënojave të urës, në pritje të ndonjë lajmi.
Nën rrënoja është djali i saj Mirko Vicini, 30 vjeç. “Nuk lëviz nga këtu derisa ta gjejnë,” tha ajo, ndërsa qëndron aty prej 4 ditësh, e ulur në një qoshe dhe duke qarë sheh punën e pandërprerë të Brigadës së Zjarrit, shkruan Tgcom.
Pak para rënies, Mirko ishte poshtë urës për të marrë turnin, pasi punonte për firmën e pastrimit të bashkisë AMIU. Trupi i kolegut, Bruno Casagrande, u gjet, por deri më tani asnjë gjurmë nga Mirko. Paolës i është dhënë një shtrat në ndërtesën ku djali i saj kaloi para se të merrte turnin e punës, ndërsa ai rezulton i vetmi i zhdukur deri më tani. Deri më tani tragjedia u ka marrë jetën 41 personave.