Qeveria italiane ka bërë një paralajmërim të fortë se mund të ndërpresë fondet për Bashkimin Evropian, nëse shtetet e tjera nuk i marrin emigrantët që janë bllokuar në një anije që ka ankoruar në një port të Sicilisë.
Të dërguarit nga shtetet e BE-së, që janë takuar në Bruksel më 24 gusht, dështuan që të arrijnë një marrëveshje për ndarjen e përgjegjësisë për 150 emigrantët që gjenden në bordin e anijes Diciotti, një anije e rojës bregdetare italiane, që ka ankoruar në Katania më 20 gusht.
“Jemi të gatshëm të ndërpresim fondet që i japim Bashkimit Evropian”, nëse blloku “nuk merr përsipër problemin, të cilin nuk mund ta zgjidhim vetë”, tha zëvendëskryeministri italian Luigi di Maio.
Mbi 650 mijë emigrantë, shumica nga Afrika dhe Lindja e Mesme kanë kaluar Detin Mesdhe për në Itali që prej vitit 2014 dhe Qeveria e re në Romë thotë se është zgjedhur pikërisht për të ndalur rrjedhën e emigrantëve.