Bizneset britanike duhet të përgatiten për pengesa më të mëdha në tregti në rast se qeveria nuk arrin një marrëveshje me Bashkimin Evropian për Brexit, tha përmes një deklarate ‘Downing Street’.
Në një seri botimesh të vazhdueshme të asaj që do të ndodhte në rast të një mosmarrëveshjeje, qeveria e Britanisë së Madhe tha se për mallrat evropiane që hyjnë në vend do të kërkohej një deklaratë importi, kryerja e kontrolleve doganore, si dhe pagesa doganore.
Në të njëjtën kohë, në rastet e importit të mallrave në vendet e BE-së, bizneset e Britnaisë do të duhet të paguajnë TVSH-në (aktualisht 20 për qind) si dhe duhet të dorëzojnë dokumentet e plota përpara marrjes së produkteve evropiane.
Ata që eksportojnë nga Britania drejt BE-së, do të duhet të aplikojnë të njëjtin regjim që është aktualisht në fuqi për produktet që shiten jashtë BE-së, që nënkupton më shumë kosto dhe dokumenta.
“Nuk është ajo që duam dhe nuk është ajo që presim”, tha Dominic Raab, shefi i Brexit i Britanisë së Madhe, në një konferencë për shtyp lidhur me një skenar të mundshëm të mosarritjes së një marrëveshjeje me BE.
Ndërkohë që Britania pritet të largohet nga Bashkimi Europian më 29 mars të vitit të ardhshëm, marrëdhënia e tyre pas kësaj date mbetet e paqartë.
Negociatorët synojnë të arrijnë një rezolutë të Brexit në tetor për t’u siguruar se ka kohë të mjaftueshme për ta miratuar atë në të gjithë Evropën. Megjithatë, kufizimet politike dhe teknike po e bëjnë më të vështirë arritjen e këtij afati jozyrtar.
Por, tashmë jo vetëm legjislatorët në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE kanë rritur përgatitjet e tyre për një skenar’ jo-marrëveshje’, pasi edhe guvernatori i Bankës së Anglisë si dhe drejtues të tjerë të lartë të institucioneve kanë paralajmëruar se ekziston një rrezik real që një skenar i tillë mund të ndodhë.
“Realiteti i zymtë është se në një skenar “asnjë marrëveshje”, duket se qëllimi i qeverisë është të imponojë menjëherë kontrolle doganore të tregtisë ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe. Sipas njoftimit teknik, bizneset duhet të jenë gati për deklaratat doganore, tarifat, inspektimet e sigurisë, licencat e reja “, tha Adam Marshall, drejtor i përgjithshëm i Dhomave Britanike të Tregtisë.
Sipas këtij të fundit, bizneset ende kanë nevojë për informacione më të hollësishme për të tregtuar në mënyrën më të mirë të mundshme bë të gjithë kufijtë, nëse nuk arrihet marrëveshja Britani e Madhe – BE vitin e ardhshëm.