Rreth 630 vende pune në financë janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar, ndërkohë që vetëm 6 muaj kanë mbetur përpara Brexit. Shifra është shumë më e ulët se sa bankat vlerësonin gjatë referendumit, sipas një sondazhi të Reuters. Shumë bankierë dhe politikanë parashikonin pas referendumit të vitit 2016 se dalja nga Bashkimi Europian do të nxiste një eksod masiv të vendeve të punës dhe bizneseve, duke i dhënë një goditje pozitës së Londrës si qendër globale e financave.
Ndërkohë që Brexit po afron, numri i vendeve të punës në Britani që institucionet financiare presin të largohen, nëse ndodh skenari “Hard Brexit”, arrinte në 5,800. Kjo vjen poshtë shifrës prej 10,000 që pritej në Shtator 2017. Rezultati bazohet në përgjigjet e 134 bankave më të mëdha, kompanive të sigurimit, manaxhuesve të aktiveve, firmat e kapitalit privat dhe kompanitë e këmbimit valutor.
Thuajse të gjithë firmat e anketuara bënë të ditur se do të lëvizin sa më pak njerëz të jetë e mundur, duke shpresuar një marrëveshje politike mes dy palëve që ruan aksesin në tregun e përbashkët europian. Gjasat e një Brexit pa marrëveshje janë shtuar së fundi, ndërkohë që plani i Kryeministres Theresa May u refuzua nga Brukseli dhe nga partia e saj konservatore.