Investimet direkte të Kinës jashtë territorit të vendit kanë pësuar rënie për të parën herë në histori, tregojnë të dhënat zyrtare.
Këto të dhëna vijnë në një kohë që dy ekonomitë më të mëdha të botës janë përfshirë në një luftë të egër tregtare, e tashmë edhe diplomatike.
Kjo luftë tregtare ndërkohë erdhi kryesisht si pasojë e rritjes së ndjeshme të investimeve kineze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me blerje të shumta të kompanive kineze në vend.
Ndërkohë që Kina kërkon të rrisë investimet jashtë, Shtetet e Bashkuara duan ta kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur ekspansionin e kompanive kineze.
Kështu, të dhënat e 2017-ës, tregojnë se, investimet e huaja direkte të Kinës jashtë ranë me 19.3%, në 158.29 miliardë dollarë.
Kjo është rënia e parë e kësaj shifre që prej vitit 2002, kur filloi edhe raportimi i kësaj shifre.
Në Shtetet e Bashkuara vetëm, shifra fiksohet në 6.43 miliardë dollarë në 2017, ose 62.1% më pak se viti paraardhës. Ndërkohë, investimet në Europë u rritën me 72.7%, në 18.46 miliardë dollarë, tregojnë të dhënat më të fundit.