"Gatishmëria jonë për kompromis nuk është e pakufishme", kështu është shprehur ministri i Britanisë së Madhe për Brexit. Kjo temë sundoi edhe debatin në kongresin e konservatorëve në Birmingham.
Në një fjalim të mbajtur të hënën në kongresin e konservatorëve në Birmingham (01.10), ministri britanik për Brexit, Dominic Raab ka paralajmëruar BE nga kërkesat e ekzagjeruara. "Gatishmëria jonë për kompromis nuk është e pakufishme", ka thënë ai duke shtuar se ne nuk do të kërkojmë shtyrjen e zbatimit të nenit 50-të. Neni 50 rregullon daljen e një vendi nga BE.
"Nëse oferta e vetme e BE e kërcënon unionin tonë, atëherë nuk na mbetet rrugë tjetër, veçse të dalim pa marrëveshje", thekson Raab, që megjithatë e kërkon kompromisin. "Qëndrimi im është pragmatik jo dogmatik." Sipas Raabe, BE kërkon ta mbajë vendin në union përmes trukeve. Edhe ministri britanik i Tregtisë Fox paralajmëroi Bashkimin Europjan. Mungesa e marrëveshjes do të dëmtojë shumë edhe tregtinë e BE-së, tha ai.
Lufta brenda konservatorëve
Konservatorët u mblodhën të dielën në kongresin e partisë për të gjetur një rrugëzgjidhje nga ngërçi i krijuar. Partia është e përçarë në kampin e mbështetësve rreth ish-ministrit të Jashtëm, Boris Johnson që kërkesat e BE i quajnë të ekzagjeruara dhe e kritikoi ashpër kryeministren në kongres, dhe grupimit tjetër, përkrahësit e kryeministres, Theresa May. Brenda partisë duket se zhvillohet një luftë e brendshme për pushtet.
Pika më e nxehtë e debatit me BE mbetet statusi i provincës britanike, Irlandë e Veriut, Nuk duhet të ketë një doganë kufitare mes Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe, siç parasheh BE. BE e refuzon planin aktual të Theresa Mayt për Brexit dhe kërkon më shumë lëshime. Gjashtë muaj para datës së daljes së BE nga Britania e Madhe, negociatat janë vështirësuar. Shumë sipërmarrje ndërkohë po përgatiten për skenarin më të keq, daljen e Britanisë së Madhe nga BE pa një marrëveshje të rregulluar, e cila potencialisht mund të shkaktojë kaos dhe rreziqe politike e ekonomike.
la/(afp,rtr)