Kur vajza mbulohet papritur me nikab

E mërkurë, 03 October 2018 10:38

Vendimet që marrin fëmijët për jetën ka raste që nuk pranohen nga prindërit. Sidomos kur fëmijët radikalizohen si islamistë. Deutsche Welle ka takuar një nënë që rrëfen historinë e vajzës së konvertuar.

Asnjë nënë nuk do ta përjetojë këtë. Një ditë papritur autoritetet trokasin në derë dhe thonë, se vajza po planifikon t‘i bashkohet milicëve terroristë të të ashtuquajturit „Shteti Islamik" në Siri. Monika Müller (emri i ndryshuar nga redaksia) dridhet kur e kujton atë ditë në vitin 2014. Për fat pak më vonë nëna lehtësohet - policia kishte pasur informacione të gabuara nga një xhami. Por megjithkëtë, Monika ka përjetuar shumë nga ato që nuk donte t'i përjetonte si nënë: Vajza e saj u radikalizua si islamiste, u vesh jo me shami koke, por u mbulua tërësisht me nikab, u martua me një turk të panjohur për familjen, të cilin e njohu në një forum në internet, një njeri me të cilin nuk e lidhte asgjë, vetëm ideologjia fetare.
Vini në punë trurin
Monika Müller, mjeke në një qytet gjerman, është në fillim të 60-ve. Me flokë të shkurtër të kuq që rrethojnë një fytyrë të çelur, dhe që buzëqesh me dëshirë. Ajo prej dy vitesh ajo ndihmon në një projekt për të ndihmuar të rinjtë të dalin nga rruga e radikalizimit. „Të rinjtë duhet të vënë në punë trurin që të mos verbohen nga premtimet që u bëjnë të tjerët", thotë ajo. Mjekja nuk e ka fjalën vetëm për islamin radikal . „Kështu do të ishte edhe nëse të rinjtë radikalizohen si djathtistë."
Vitet e fundit i kanë kushtuar mjekes shumë energji. Por familja e Monika Müller nuk u shpërbë. Sot ajo e ruan kontaktin me vajzën Sophia (emri i ndryshuar) përmes telefonit dhe Whatsapp. Nënë e bijë takohen rregullisht dhe ndërmarrin gjëra së bashku. Por marrëdhënia e tyre nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ka pasur një kohë, kur marrëdhënia u ndërpre për muaj me radhë.
Përmes traumës tek islami
Që vajza e saj, sot 24 vjeçare u konvertua në fenë myslimane, Monika e lidh me një ngjarje që në bisedë me Deutsche Welle-n ajo e formulon shkarazi si „përjetim traumatik jashtë familjes". Kjo ishte goditja që e shndërroi plotësisht, Sophian atëherë 12 vjeçare, thotë nëna. Megjithë terapinë ajo nuk e përpunoi dot traumën. „Asaj iu fiksua që duhet të konvertohet në fenë myslimane, sepse kjo fe mund ta mbrojë më mirë nga feja me të cilën është rritur."
Me 16 vjeç Sophia filloi të shkojë në xhami dhe takohej vetëm me vajza „që kishin një sfond patriarkal islamik apo rrënjë kulturore marokene", kujton nëna. Kur vajza vendosi në moshën 17 vjeçare të mbajë shami koke, u prish edhe paqja e familjes. Më vonë as kjo nuk mjaftonte. Sophia vendosi të veshë nikabin. „Sophia ka një motër e vëlla. Ka pasur diskutime. Sherr. Ne ofendoheshim si të pafe. Sophia mbante vetëm kuranin me vete apo libra ‚Gruaja myslimane, martesa myslimane.‘"
Martesa si adoleshente
Nuk kaloi shumë dhe vajza u largua nga shtëpia. Megjithëse adoleshente ajo u martua me një turk të panjohur për familjen, por martesa nuk mbajti gjatë, Sophia kthehet tek familja. „Bashkëshorti nuk ishte besimtar sa duhet për të„, kujton Monika Müller.
Shpresa e prindërve se kjo ndarje do ta ndryshonte vajzën nuk u bë realitet. Sophia kërkonte në forume për një bashkëshort tjetër, besimtar fanatik. Grindja në familjen Müller u shkallëzua. Babai i hoqi Sophias telefonin, ajo ndërpreu shkollën profesionale pak para përfundimit. Për herë të dytë vajza e konvertuar largohet nga familja. „Pak javë më vonë na erdhi lajmi se vajza është martuar në Münster (vendi i ndryshuar) dhe jeton tërësisht e mbuluar."
Sophia ka lindur dy fëmijë ndërkohë, dhe është me barrë me fëmijën e tretë. Me dhëndrin e ri, një djalë me origjinë nga Shqipëria, Monika Müller përpiqet të ruajë një marrëdhënie të mirë. Megjithatë ajo e përshkruan atë si fundamentalist. „Dy herë ai ka qenë në Siri dhe ka çuar transporte ndihme në emër të organizatës „Mjekësi me zemër". Dega e landit të Renani- Veriore-Vestfalisë të Zyrës Federale të Mbrojtjes Kushtetuese e ka kategorizuar këtë organizarë si salafiste-ekstremiste. Ndërkohë dhëndri është distancuar nga kjo organizatë, raporton Monika Müller.
Ndryshimi që sollën fëmijët
Monika Müller e di se në shumë familje fundamentaliste ndalohet të këndohet dhe të shikohet televizori. Por tek vajza e saj ajo vërejti shenja, se mëmësia po i zbuste disi qëndrimet radikale. Në fillim Sophia e refuzonte të çonte edhe vajzën në kopsht, pastaj ajo e kuptoi, se sa e rëndësishme është për fëmijët të rriten bashkë me fëmijë të tjerë, kujton nëna. Edhe një shenjë tjetër të mirëkuptimit familjar e ka vërejtur nëna. Në festat familjare si dasma Sophia fillon të vijë pa nikab.Monika Müller rrëfen me zemërim, se me çfarë duhet të ndeshet vajza e saj në rrugë, kur del plotësisht e mbuluar. „Sophia është pështyrë dhe shtyrë. Përpara saj kanë qënduar dhe i kanë thënë, një si ty duhet ta vrasësh." Monika Müller thotë se e kupton, kur Sophia thotë, se „në Gjermani nuk mund të jetosh kaq mirë." Më parë ka pasur diskutime për të shkuar në një vend arab, që fëmijët të mësonin arabishten dhe studionin kuranin. Por për shkak të fëmijëve, kjo nuk është më temë. „Vajza ime e kuptoi, se për të ka shumë rëndësi që fëmijët të kenë një arsimim të mirë. Dhe që në vendet arabe nuk është aq e lehtë, aspak e lehtë sidomos për një femër."
Tani Monika Müller nuk ka frikë, që Zyra Federale e Mbrojtjes Kushtetuese do të qëndrojë para dere për shkak të planeve të vajzës për të shkuar në Siri. Por dhëndri i saj shqiptar, këtë mjekja e paramendon, vëzhgohet ende nga autoritetet gjermane. Vitin e kaluar, banesa e tyre u kontrollua, kur familja nuk ishte në shtëpi.  Matthias Hein, Esther Felden DW

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...