Inflacioni në Turqi u rrit në thuajse 25% gjatë Shtatorit me bazë vjetore, duke shënuar nivelin më të lartë në 15 vite dhe vënë në dukje ndikimin e krizës së valutës te ekonomia dhe konsumatorët. Lira turke ka humbur 40% këtë vit, prej shqetësimeve mbi kontrollin e presidentit Erdogan te politikat monetare si dhe prej përplasjeve diplomatike me SHBA. Rënia e lirës ka rritur çmimet e çdo produkti, nga karburanti e deri te ushqimi dhe ka ulur besimin e investitorëve.
Pas publikimit të inflacionit lira turke vazhdoi rënien, duke prekur 6.06 kundër dollarit. Inflacioni u rrit me 24.52% në Shtator me bazë vjetore, sipas institutit të Statistikave në Turqi. Nga muaji i kaluar, pati rritje me 6.3%, shumë sipër projeksioneve të analistëve. Ushqimi dhe pijet jo-alkoolike u rritën me 6.4% nga muaji Gusht dhe me 27.7% nga e njëjta periudhë një vit më parë .
Mobiliet dhe pajisjet shtëpiake patën rritjen më të madhe mujore me 11.4%, ndërsa transporti me 9.15%. Pas rritjes së inflacionit me 18% në muajin Gusht, Banka e Turqisë deklaroi se do të ndërhyjë për të stabilizuar nivelin e çmimeve. Më pas, institucioni rriti normën bazë të interesit me 6.25%, duke i dhënë mbështetje lirës. Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 46.15% në Shtator nga e njëjta periudhë një vit më parë.