×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Bosnje-Hercegovinë - Votime në një shtet të dështuar

Diel, 07 October 2018 15:14

Bosnja dhe Hercegovina nuk e kanë tejkaluar kurrë ndarjen e thellë etnike në 23 vitet e shkuara. Me shumë gjasë as këto zgjedhje nuk kanë për të ndryshuar diçka.

Në tre fusha Bosnje-Hercegovina është kampione europiane: në kuotën më të lartë të papunësisë, të ndotjes së mjedisit dhe sidomos si shteti më i komplikuar. Në dy vitet e fundit janë larguar nga vendi 80.000 të rinj nga një vend me 3,5 milionë banorë.

Parahistoria e kësaj gjendje katastrofike e ka origjinën thellë në vitet 90-të. Lufta e përgjakshme mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve përfundoi në vitin 1995 me një marrëveshje paqeje, që u arrit nën presionin e madh amerikan në Dayton. BH sipas kësaj marrëveshjeje u nda në dy pjesë: pjesën e dominuar nga serbët „Republika Srpska", e cila mori 49% të territorit dhe një vetëadministrim të zgjeruar, të afërt me shtetin. Pjesa e dytë e vendit, „Federata Boshnjako-Kroate" u nda në 10 njësi, kantone. Struktura e komplikuar dhe e fiksuar në marrëveshjen e Daytonit, krijon sot një ushtri me ministra, sekretarë shteti, këshilltarë dhe nëpunës.

Përveç kësaj ky shtet artificial ka një administrator ndërkombëtar për një kohë të pacaktuar, me kompetenca gati absolutiste: Shkurt, ky vend u bë një protektorat ndërkombëtar. Por kjo nuk ndihmoi në zgjidhjen e problemeve.

Urrejtja e trashëguar

Në 23 vitet e fundit ndarja etnike dhe nacionalizmi i lidhur me të nuk u shuan, megjithë praninë ndërkombëtare. Distanca ndëretnike mes fëmijëve të lindur në këtë shtet të ri është madje më e madhe se tek prindërit. Në librat shkollorë dhe mediat nacionaliste ata i gjejnë rregullisht imazhet e armikut.

As zgjedhjet e së dielës (07.10) nuk kanë për të ndryshuar shumë në këtë drejtim. Që qytetarët do të zgjedhin të lirë mes programeve dhe kandidatëve, ky është iluzion, mendon Franjo Šarčević, kryeredaktor i portalit të internetit „Prometej." Në fushatën zgjedhore dominon diskursi nacionalist. Shumica e aktorëve kryesorë përpiqen kush e kush t'ia kalojë tjetrit me dashurinë për popullin, shtetin apo etninë. Ata premtojnë thjesht luftë më të mirë „kundër atyre" që na „rrezikojnë ne", thotë gazetari për DW.

Nga njëra anë Putini…

Retorika e fushatës e bazuar në pëvojat negative që nga koha e luftës shoqërohet në pjesën serbe me shkëputjen. Kësaj i shtohet vizioni i bashkangjitjes me Serbinë dhe dashuria e madhe për Rusinë. Tendencën e orientimit drejt Lindjes e nxit edhe presidenti Republikës Srpska, Milorad Dodik, që u takua së fundmi me presidentin Putin në garën për Çmimin e Madh të Rusisë në Sotçi. Presidenti Dodik bllokon njohjen e Kosovës nga ana e Bosnje-Hercegovinës duke bllokuar kështu afrimin e vendit me NATO-n.

As opozita e bashkuar nën slloganin „Aleanca për fitoren" nuk dallon shumë nga Dodik. Ajo është vetëm më pak injorante dhe më pak e ashpër në daljet publike të saj. Mladen Ivanić, kandidati i përbashkët i opozitës për përfaqësuesin serb në presidiumin trekrerësh të shtetit tha për DW: „Bosnja dhe Hercegovina do të mbetet një problem deri sa të kujtojë, se etniteti i Republikës Srpska është edhe Bosnje-Hercegovinë, dhe se një etnitet i fortë serb nuk do të thotë patjetër një Bosnje-Hercegovinë të dobët.“ Ivanić ndjek një kurs të gatishmërisë për kompromis. Në një deklaratë të mëparshme ai theksoi se „besoj, nëse vazhdon të mungojë konsesusi edhe në të ardhmen, ky shtet do të bjerë vetë një ditë. Por Republika Srpska mbetet një fakt."

…tjetra Erdogani

Ndërsa në Sarajevë e pjesë të tjera myslimane të vendit, partia konservatore islamike e Aksionit Demokratik, SDA përpiqet bashkë me socialdemokratët laikë të sigurojë votat mes zgjedhësve boshnjakë. Për kreun e partisë konservatore myslimane, Bakir Izetbegović, dhe njëkohësisht përfaqësues boshnjak në presidium ka një rëndësi të veçantë afria me presidentin Erdogan. „A jam unë lojtar politik, që i nis për shkak të tij grindjet me Europën? Jo. Por unë nuk do ta tradhtoj kurrë mikun tim." Tendencave për ndarje të Dodikut ai i kundërpërgjigjet. „Kush e do këtë vend, duhet të jetë i gatshëm të shkojë deri në kufirin e fundit, kur bëhet fjala për integritetin territorial të tij." Që do të thotë, në rast të shkëputjes, ka luftë.Ndoshta me këtë mund të binden votuesit boshnjakë, që ndryshe nuk do ta mbështesnin Izetbegovićin. Por edhe socialdemokrati, Denis Bećirović peshkon në ujërat e retorikës nacionale.

Rasti special - kroatët boshnjakë

Kreu nacionalist i partisë boshnjako-kroate, HDZ, Dragan Čović, e thekson po ashtu lidhjen me Kroacinë dhe distancën me Sarajevën politike. Problemi i tij: Në etnitetin boshnjak-kroat në presidiumin trekrerësh përfaqësuesi kroat mund të përcaktohet edhe nga vota boshnjake. Një pasojë e marrëveshjes në Uashington, që u fut në Marrëveshjen e Daytonit dhe kështu konsiderohet si pjesë e kushtetutës.

onkretisht kjo do të thotë që boshnjakët falë mazhorancës numerike në federatë mundet që të përcaktojnë në presidiumin shtetëror krahas përfaqësuesit boshnjak edhe atë kroat. Kjo ka ndodhur dy herë. Edhe njëherë tjetër… dhe pakënaqësia e fshehur e kroatëve do të shpërthente brenda natës. Dragan Čović u shpreh për këtë rrezik në bisedë me Deutsche Wellen. „Të paktën nuk është korrekte që populli boshnjak të zgjedhë në presidium përfaqësuesin kroat në presidium."

Humbje e lidhjes me shtetin e vet

Për shumicën e serbëve dhe kroatëve në Bosnje-Hercegovinë nuk është Sarajeva kryeqyteti i tyre, por kryeqyteti i myslimanëve, mendon gazetari Cvijetin Milivojević. „Kjo ka rëndësi të kuptohet, sepse ne e dimë, që të tre grupet etnike sipas Marrëveshjes së Daytonit janë të barabartë në të gjithë territorin shtetëror. De facto boshnjakët dhe kroatët në Republika Srpska janë të mënjanuar, po ashtu si kroatët dhe serbët e pakët në federatë. Nuk mund të flitet për barazi."

Korrupsioni i kudogjendur, drejtësia e dobët, arratia e rinisë nga vendi, si edhe bllokimi i reformave nuk janë tema, me të cilat mund të fitosh pikë politike në Bosnje-Hercegovinë. Gazetari Franjo Šarčević nuk është optimist. „Pavarësisht se sa dua unë që ne të ecim përpara drejt një shoqërie progresive, të hapur, të lirë dhe të mbërrijmë në shekullin e 21,në vend që të vazhdojmë rrugën e shekullit të 20-të dhe 19-të, sërish kam frikë se gjendja pas zgjedhjeve nuk ka për të ndryshuar." Dragoslav Dedović DW

 

 

Modifikuar më Diel, 07 October 2018 15:16
Login to post comments