Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, arriti të dielën në Seoul, pas vizitës në Korenë e Veriut, ku u takua me udhëheqësin e saj, Kim Jong Un.
Udhëheqësi i vendit të izoluar, u dëgjua duke i thënë kryediplomatit amerikan: "jam vërtetë i kënaqur me këtë mundësi. Pas takimit të mirë, tani mund të hamë së bashku".
Pak pasi arriti ne Korenë e Jugut nga Veriu, sekretari Pompeo postoi një fotografi duke ecur përkrah Kimit, ndërsa shkroi se "po shënojmë përparim mbi marrëveshjen e Singaporit".
Një zyrtar amerikan në delegacionin e sekretarit Pompeo, tha se udhëtimi në Korenë e Veriut "ishte më i mirë sesa herën e kaluar" por duhen përpjekje të tjera.
Zyrtari la të kuptohet se disa përparime u shënuan gjatë vizitës, e cila përfshinte një takim me udhëheqësin e Koresë së Veriut, por shtoi se "do të jetë një rrugë e gjatë".
Sekretari Pompeo takohet me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe ministrin e Jashtëm, Kan Kyung-wha, për t'i informuar ata mbi takimin me Kim Jong Un.
Sekretari Pompeo kishte thënë se qëllimi i vizitës në Korenë e Veriut është "që të sigurohemi se e kuptojmë çfarë duan të arrijnë palët... dhe si të përmbushen përkushtimet e bëra në Singapor, ku Kim dhe presidenti Donald Trump zhvilluan takimin e tyre historik në qershor.
Ai gjithashtu kishte thënë se donte të përcaktonte një datë për një takim të dytë midis Kimit dhe presidentit Trump. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ky qëllim është arritur.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, qëndroi të shtunën në Tokio, ndalesa e parë e turneut të tij treditor në Azinë Lindore. Zoti Pompeo u takua me udhëheqësit e lartë të Japonisë, me të cilët diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe përpjekjet për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut.
Pas vizitës në Korenë e Jugut ai do të qëndrojë edhe në Kinë, vizitë që mund të jetë e tensionuar pasi që ndodhë disa ditë pasi nënpresidenti amerikan, Mike Pence, mbajti një fjalim të ashpër duke akuzuar Kinën pos tjerash për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe shtim të shkeljes së të drejtave të njeriut. VOA