Presidenti Donald Trump tha se ka folur me një nga ish-këshilltaret e tij, Dina Powell, rreth mundësisë për të zënë vendin e zonjës Nikki Haley si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara dhe se ka në plan të bisedojë me kandidatë të tjerë për këtë post.
Zoti Trump tha në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, se Dina Powell është vetëm një nga shumë njerëz kandidatura e të cilëve po shqyrtohet.
Zonja Haley njoftoi të martën se po dorëhiqej nga posti i ambasadores së SHBA dhe se do të largohej para fundit të vitit.
"Ka qenë një nder i jetës sime," tha zonja Haley dje, duke komentuar pranë Presidentit Trump në Zyrën Ovale, ku ata njoftuan vendimin për largimin e saj.
Ish guvernatorja e Karolinës së Jugut është parë nga analistët si një zë relativisht i moderuar në kabinetin e zotit Trump.
Emërimi i saj si ambasadore në OKB u pa si një surprizë, sepse ajo ishte shihej si kritike e stilit konfrontues ndaj kandidatit Trump gjatë fushatës presidenciale të 2016-ës, si dhe një përkrahëse e tregjeve të lira dhe tregtisë globale, ndryshe nga politika "Amerika e Para” e zotit Trump.
DORËHEQJA E PAPRITUR
Nikki Haley është një tjetër zyrtare e lartë e administratës Trump që jep dorëheqjen. Por nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të ketë largimi i saj në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara:
Largimi i zonjës Haley, nënkupton se një zë republikan tradicional në politikën e jashtme amerikane nuk është më, në një Shtëpi të Bardhë, që nganjëherë nuk ka mbajtur qëndrime aspak tradicionale.
"Kjo detyrë ka qenë një nder për mua”- tha zonja Haley.
“Keni bërë një punë të shkëlqyer dhe për këtë ju falenderoj pa masë,”- tha Presidenti Trump.
Si ambasadore në Kombet e Bashkuara, Haley ka qenë në përkrahëse e zëshme e disa prej politikave më të debatueshme të presidentit Trump, si vendimin për ta çuar ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, prerjen e ndihmës për udhëheqësit dhe refugjatët palestinezë dhe dhe tërheqjen nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Por nganjëherë, Haley ka mbajtur pozicione të ndryshme nga Presidenti.
Ajo është kritike e hapur e Rusisë, duke krijuar kështu fërkime me të. Dhe ajo mbështet tregtinë e lirë.
Por të martën, marrëdhëniet mes tyre u dukën të mira.
"Pyetjes në se do të kandidoj në zgjedhjet e 2020 do t’i përgjigjesha: Jo, nuk do të kandidoj. Por ju premtoj se do të zhvilloj fushatë për presidentin Trump", - tha zonja Haley.
Analistët thonë se edhe pa zonjën Haley, në administratën Trump ka zëra të ngjashëm me të për politikën e jashtme, si Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton.
"Unë mendoj se Ambasadori Bolton dhe Sekretari Pompeo kanë qëndrim të ngjashëm me ambasadoren Haley për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe qëndrimin tonë në Kombet e Bashkuara, prandaj, pres që të ketë vazhdimësi,”- thotë analisti Brett Schaffer.
Në kushtet kur nga Shtëpia e Bardhë janë larguar vazhdimisht zyrtarë të nivelit të lartë, zonja Haley ka qëndruar në detyrë më gjatë se çdo zyrtar i lartë i politikës së jashtme. Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë ndikimi ka për të patur kjo ngjarje.
"Në këtë adminstratë për shembull, kemi patur deri tani tre këshilltarë për sigurinë kombëtare. Këto ndryshime e bëjnë të vështirë të kihet një politikë koherente. Mendoj se ky president e vështirëson dyfish situatën, sepse ai ndryshon shpesh mendje, duke kaluar në mënyrë radikale nga njëri kah në tjetrin,”- thotë analisti Ben Friedman.
Shumica e vëzhguesve janë të një mendimi, se tani në moshën 46-vjeçare, Nikkie Haley ndoshta nuk po largohet për gjithmonë nga skena e politikës kombëtare.