Turqia dhe Arabia Saudite janë rivalë në garën për të drejtuar botën islamike.
Zhdukja dhe ndoshta vrasja e disidentit saudit Jamal Khashoggi në konsulatën e vendit të tij në Stamboll nuk janë lajm i mirë për Lindjen e Afërme të pasur me konflikte. Sepse ato ushqejnë tensionet që ekzistojnë për një kohë të gjatë midis Turqisë dhe Arabisë Saudite dhe shtojnë me këtë barrën e konflikteve.
Të dy janë rivalë në konkurencë për udhëheqjen e botës islamike. Kjo në një kohë që ata janë në krye të kampeve të kundërta: në njërën anë Arabia Saudite, që e ka deklaruar Vëllazërinë Myslimane organizatë terroriste, që imponoi një embargo kundër Katarit dhe që bashkëpunon me Izraelin.
Në anën tjetër, Turqia e Erdoganit e mbështet Vëllazërinë Myslimane, bashkëpunon ngushtë me Katarin dhe u jep një zë palestinezëve, për shembull me kritika për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Khashoggi, njëri nga intelektualët drejtues sauditë u pozicionua gjithnjë e më shumë kundër politikës së vendit të tij dhe përfaqësonte pozicionet e Turqisë. Në këtë mënyrë, rasti i tij nxjerr në pah linja të rrezikshme konflikti në Lindjen e Afërt.