Politika e brendshme dominon debatin politik para zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongres. Por ligjvënësit demokratë janë shprehur se duan të theksojnë edhe rolin e Amerikës në arenën ndërkombëtare dhe nëse fitojnë kontrollin në të paktën njërën prej Dhomave, do të luftojnë për të frenuar prirjet e administratës në këto politika.
Që nga tregtia deri tek kuotat mbi numrin e refugjatëve që pranohen, apo tek zhvillimet e reja rajonale në pika të ndryshme të globit, demokratët thonë se po të kenë shumicën do të punojnë energjikisht për t’i kërkuar llogari administratës mbi politikat e saj, duke shfrytëzuar po qe nevoja, në raste mosmarrëveshjesh, mandatin e Kongresit për të akorduar fonde.
Republikanët, të cilët luajtën një rol të ngjashëm gjatë administratës Obama, kanë paralajmëruar se mund të acarohen përplasjet partiake lidhur me politikën e jashtme ku në të kaluarën, për shembull gjatë Luftës së Ftohtë, politika amerikane ka folur me një zë, pa dallime partiake.
“Rezultatet e zgjedhjeve mund të krijnë mundësinë për të mbështetur tema në forma që tani janë të pamundura pasi republikanët kontrollojnë të dyja Dhomat,” thotë për Zërin e Amerikës Senatori Robert Menendez, republikani më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.
“Për shembull, roli ynë lidhur me fatin e refugjatëve – kjo administratë ka reduktuar në mënyrë drastike numrin e refugjatëve që pranohen. Për administratën Trump beteja në mbështetje të demokracisë dhe të drejtave të njeriut duket se nuk është një prioritetet me peshë, siç ka qenë për administratat e tjera,” - tha Senatori Menendez.
“Ne jemi ata që ndajnë fondet,” thotë Senatori demokrat Tim Kaine duke folur për përgjegjësitë e Kongresit. “Kur Shtëpia e Bardhë na dërgon projekt-buxhetin çdo vit me propozime për reduktime dramatike në fondet për ndihma ndërkombëtare (përmes USAID-it) apo për diplomacinë, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim fuqimisht me fonde këto prioritete”.
Fuqia e Shumicës
Republikanët nuk e vënë në dyshim se po të fitojnë demokratët kontrollin në ndonjërën apo të dyja Dhomat e Kongresit, ata do të përpiqen të diktojnë axhendën e tyre. “Roli kryesor i Kongresit është të miratojë fondet për financimin e qeverisë, përfshirë Departamentin e Mbrojtjes dhe demokratët mund të ushtrojnë një ndikim të drejtpërdrejtë,” - thotë John Cornyn, republikani numër dy në Senatin amerikan.
“Demokratët mund të arrijnë shumë përmes Kongresit,” thotë analisti Michael O’Hanlon, studiues në Institutin “Brookings”. “Në bazë të Kushtetutës, Presidenti ka në dorë diplomacinë. Ai është edhe Komandanti i Përgjithshëm, por vetëm Kongresi ka mandatin për të shpallur luftë. Po ashtu edhe lidhur me sanksionet, Kongresi e ka në dorë të miratojë ligje të tilla,” - thotë analisti O’Hanlon.
Anthony Cordesman, ekspert për sigurinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se do të jetë një periudhë e ngarkuar me përplasje politike. “Problemi nuk qëndron në mundësinë që demokratët të marrin nën kontroll të dyja Dhomat. Problemi qëndron në tendencat e theksuara partiake që shfaq secili grup dhe kjo e bën shumë të vështirë mirëkuptimin në çdo temë, e bën të vështirë të arrihet diçka; si rezultat çdo debat për politikën e jashtme kthehet në debat partiak”.
Anketat tregojnë se demokratët kanë më shumë shanse të sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve se sa në Senat.
Gjatë muajve të fundit janë shfaqur plot shembuj të qëndrimeve dhe përplasjeve partiake brenda Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me politikat ndërkombëtare.
Kryetari i Komisionit për Çështje të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Ed Royce si dhe demokrati më i lartë në këtë komision, ligjvënësi Eliot Engel nga Nju Jorku, i dërguan një letër Presidentit Trump kohët e fundit ku kërkojnë “veprime të menjëhershme” lidhur me zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.
Por muajin e kaluar demokratët u mobilizuan fuqimisht duke iu kundërvënë planit të administratës për të mbështetur me 20 milionë dollarë Meksikën për të deportuar refugjatët nga Amerika Qendrore që përpiqen të futen në Shtetet e Bashkuara. Në një deklaratë, ligjvënësi Engel e quan këtë plan “të pakuptimtë” dhe një përpjekje “për të përdorur Departamentin e Shtetit për t’u imponuar vendeve të tjera fushatën e deportimeve të administratës amerikane”.
Roli Mbikëqyrës
Nëse sigurojnë shumicën në njërën apo të dyja Dhomat e Kongresit, demokratët do të kishin autoritet të gjerë për të kontrolluar, mbikqyrur dhe ekspozuar vendime të administratës mbi tema madhore dhe anësore.
“Ka një numër temash që dua të diskutohen në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë, por republikanët nuk kanë ndonjë interes për to,” - tha Senatori demokrat Menendez. “Për shembull, akuzat që janë përmendur për pushime nga puna me motive politike në Departamentin e Shtetit. Do ta ngrija për diskutim këtë temë nëse demokratët fitojnë shumicën. Duhet të ushtrojmë më fuqimisht rolin mbikëqyrës mbi administratën. Ne jemi pak a shumë të painformuar mbi shkëmbimet e administratës me Korenë e Veriut”.
“Shumë demokratë shprehen me kritika për politikat që po ndjek Presidenti Trump ndaj Koresë së Veriut,” - thotë analisti O’Hanlon. “Shumë prej tyre mendojnë se presidenti është treguar shumë miqësor me Kim Jong Un-in ose shumë i pakontrolluar në postimet e tij në Twitter”.
Michael O’Hanlon nënvizon se Presidenti Trump gëzon me kushtetutë autoritetin për t’u përpjekur për një traktat me Korenë e Veriut mbi programin bërthamor, ashtu si pararendësi i tij, Barak Obama, i cili nënshkroi një traktat ndërkombëtar me Iranin. Por ratifikimi nuk është në dorë të administratës.
“Vetëm Senati mund të ratifikojë traktate. Kongresi nuk mund të hartojë traktate, por ka të drejtën të thotë “po” apo “jo”. Pra është në dorë të Kongresit ta bekojë apo jo çdo traktat të mundshëm me Korenë e Veriut që kërkon fonde amerikane,” - shpjegon analisti.
“Pa diskutim, demokratët do të sulmojnë çdo pikë të dobët,” - thotë analisti Cordesman. “Nëse presidenti ka sukses në eliminimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut, mund të dëgjojmë eufori nga republikanët, por heshtje, apo zëra të mefshtë të demokratëve. Pra varet si e shohin njerëzit këtë si moment politik”.
Nëse demokratët sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve apo në Senat ata mund t’u japin shtysë të re proceseve hetimore mbi administratën Trump, përfshirë hetimet mbi lidhjet me Rusinë, një temë që është në qendër të procesit që po drejton prokurori special, por edhe një numër procesesh nga disa komisione të Kongresit. Ligjvënësit nga të dyja kahet politike kanë bashkuar forcat për të ndëshkuar Rusinë me sanksione për një numër aktesh keqdashëse.
Në përgjigje të pyetjes nëse demokratët do të mbanin një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, Senatori Kaine u mendua pastaj tha:
“Pa diskutim që do ta hetonim më me vëmendje. Kongresi nuk mund të bëjë një sy qorr”. “Rusia është një nga temat ku Donald Trumpi është vënë përballë pjesës tjetër të politikës amerikane. Pra nuk është thjesht presidenti përballë demokratëve. Kongresi është treguar mjaft i prerë, si grupet republikane, ashtu edhe ato demokrate, në reagimet e tyre ndaj veprimeve ruse dhe kanë qenë të gatshëm të marrin masa,” - thotë analisti Michael O’Hanlon.
Pikëpamja republikane
Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, republikanët thonë se ligjvënësit e të dyja partive duhet të bashkëpunojnë me administratën në politikën e jashtme.
“Ka plot zhvillime problematike në botë. Ne duhet të jemi të bashkuar, të punojmë bashkarisht me administratën,” thotë Senatori republikan John Cornyn. “Po ndodhin zhvillime të rëndësishme. Nuk më pëlqen ajo që vërej kohët e fundit. Demokratët duket se nisen nga synimi për t’u bërë pengesë. Ky qëndrim dallon shumë nga mjedisi politik që kam vërejtur më parë gjatë jetës sime”.
Senatori republikan Lindsey Graham shprehet me përçmim në përgjigje të pyetjes lidhur me qëndrimin e demokratëve në politikën e jashtme:
“Nuk e kam të qartë se çfarë politike të jashtme ndjekin. E di se çfarë politike ndjek Presidenti Trump. Por nuk më duket se demokratët kanë një politikë të jashtme. Atyre nuk u pëlqen presidenti. Por vetë, çfarë idesh kanë? A duhet të vazhdojmë angazhimin në Siri? A duhet të vazhdojmë fushatën në Afganistan? Ata kurrë nuk i diskutojnë këto tema”.
Angazhimet ushtarake
Senatori demokrat Tim Kaine ka bërë thirrje prej kohësh që Kongresi të miratojë një autorizim të ri për përdorimin e forcës në luftën kundër terrorizmit, duke riaktivizuar ligjin e miratuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
“Shpresoj që për tema si tregtia dhe lufta kundër terrorizmit, Kongresi do të përdorë autoritetin e tij kushtetues,” - thotë senatori.
Analisti Cordesman thotë se Kongresi i ardhshëm do të përballet me një numër dilemash lidhur me angazhimet ushtarake amerikane në një kohë kur situata fiskale e vendit po keqësohet.
“Lidhur me politikat e mbrojtjes, përgjithësisht shohim qëndrime jo fort partiake. Nëse kërkohet një ri-angazhim madhor në Afganistan, apo operacione të përmasave të mëdha në Irak ose Siri, apo ndihma humanitare, do të hapen debate të mëdha. Shpenzimet qeveritare janë një prioritet i rëndësishëm. Republikanët mund të mbështesin shpenzime të reja ushtarake, por demokratët mund të kërkojnë më shumë vëmendje tek ndihmat ndërkombëtare. Për momentin është vështirë të parashikohet si do të shkojë,” - thotë analisti Cordesman.
“Parashikoj që në pjesën më të madhe të temave të politikës së jashtme nuk do të ketë ndryshime drastike edhe nëse democratët fitojnë në Dhomën e Përfaqësuseve, madje edhe nëse marrin shumicën në Senat, pasi nuk ka vend për shpenzime madhore sepse mungojnë fondet,” - thotë analisti O’Hanlon. “Gjithashtu, megjithëse e kritikojnë Presidentin Trump nga stili i qeverisjes, nuk është e qartë se ku kanë kundërshtitë më të forta lidhur me politikat e tij. Pra në cilat pika demokratët kanë konsensus mes tyre për të hartuar ligje dhe për të ndryshuar kursin në politikën e jashtme”.