Motoja në ditën e Kombeve të Bashkuara: Mos u dorëzo kurrë

E mërkurë, 24 October 2018 14:25

Apel i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB: “Të forcohet angazhimi për kthimin e besimit të humbur tek njeri-tjetri, të shpëtohet planeti, të mos lihet akush pas, të ruhet dinjiteti si për individin edhe për të gjithë”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres në një video të shpërndarë me rastin e hyrjes në fuqi të Kartës së OKB-së, kujton 24 tetorin, ditën që i kushtohet informimit në botë për punën dhe synimet e OKB.

Kombet e Bashkuara u krijuan në vitin 1945 dhe 24 tetori është dita kur hyri në fuqi Karta e Kombeve të Bashkuara, një pakt i të drejtës ndërkombëtare, në të cilën janë shkruar të gjitha të drejtat dhe detyrimet e 193 vendeve anëtare dhe tre vendeve me status vëzhgimi.

Angazhimet aktuale janë përveç paqes dhe sigurisë ndërkombëtare edhe për terrorizmin, zhvillimin, të drejtat e njeriut, shëndetin, klimën, arsimin, migracionin. Të gjitha kryesohen nga motoja e "multilateralizmit”, si instrumenti më efektiv për të përballuar sfidat në botën e sotme.

Shqipëria është bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara më dhjetor 1955 dhe ka marrë pjesë në disa operacione paqeruajtëse. Kosova aspiron të marrë një vend në Kombet e Bashkuara, synim të cilin pritet ta arrijë pasi të marrë aprovimin e të gjitha vendeve anëtare. Deri tani 111 nga 193 vende e kanë njohur Kosovën si shtet sovran. Aktualisht OKB është e angazhuar me misionin paqeruajtës në Kosovë, UNMIK-un. DW

Login to post comments