Dy pako me përmbajte të dyshimtë që mbanin adresën e senatorit amerikan Cory Booker dhe ish-drejtorit të Shërbimit të Zbulimit Kombëtar James Clapper, u gjetën të premten ndërsa vazhdojnë kërkimet rreth personit apo personave që u kanë dërguar paketa bombë demokratëve dhe kritikëve të njohur të Presidentit Donald Trump.
Paketa e 11 u gjet në zyrat e një shërbimi postar në qytetin Opa-Locka të Floridës dhe mbante adresën e senatorit demokrat nga New Jersey njoftoi në një postim në twiter FBI-ja. Pakoja e 12-të që mbante emrin e James Clapper-it, ish-drejtorit të Zbulimit Kombëtar ishte dërguar në adresë të CNN-it, njoftoi policia e Nju Jorkut.
Ndërkohë hetuesit federalë po kontrollojnë zyrat e një shërbimi të madh postar në Florida të enjten në mbrëmje, pasi u përcaktua se të paktën një prej dhjetë bombave dërguar demokratëve me peshë dhe kritikëve të njohur të Presidentit Donald Trump është nisur prej andej.
Me shumë gjasë pakoja në fjalë është ajo që shkoi në zyrën e ligjvënëses Debbie Wasserman Schultz, sipas një lajmi të publikuar nga gazeta Miami Herald që i referohej një zyrtari federal.
Përpara se të mbërrinte në zyrën e zonjës Schultz, bomba ishte dërguar fillimisht në zyrën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm Eric Holder në Uashington DC, por nuk ishte lënë aty dhe ishte kthyer në adresën e parë, në zyrën e zonjës Schultz.
Pakoja kishte kaluar procedurat postare në qytetin e Opa-locka-s që ndodhet në Florida, njofton The Herald.
Hetuesit kanë besim se do të identifikojnë se kush është përgjegjës për dërgimin e dhjetë bombave.
"Do të identifikojmë dhe arrestojmë personin apo personat përgjegjës për këto akte", u tha gazetarëve të enjten pasdite komisioneri i policisë së Nju Jorkut James O'Neill.
Të gjitha "pajisjet e dyshimta shpërthyese" janë dërguar në laboratorin e Byrosë Federale të Hetimeve që ndodhet në bazën detare të marinës në Kuantiko të shtetit të Virxhinias, tha zoti O'Neill.
“Çdo orë po zbulohen detaje të reja” tha ai në një konferencë shtypi ku sipas zyrtarëve të tjerë, të dhënat nga publiku po u jepnin hetuesve orientimet e duhura.
Ndihmës drejtori i FBI-së William Sweeney, i cili drejton zyrën e operacioneve në terren të Nju Jorkut, tha se "hetimi është ende në fazat e hershme të tij". Ai nuk dha përgjigje specifike për mediat në lidhje me të dyshuarit e mundshëm apo nëse bombat kishin aftësi shpërthyese.
Sipas njoftimeve mediatike hetuesit po kërkojnë në mënyrë specifike në pjesën jugore të shtetit të Floridës, si vendi nga mund të kenë ardhur disa prej paketave. VoA