Shkrime të shkurtra për t’u lexuar për mënyrën se si Bashkimi Europian ka përmirësuar jetën e qytetarëve të tij, është portali i ri i nisur nga Parlamenti Europian në funksion të zgjedhjeve të majit me titull “Çfarë bën Evropa për mua?”.
‘’Kjo faqe e re e Parlamentit Europian ofron përgjigje të qarta dhe të kuptueshme, portali do të jetë një instrument i paçmuar për të sjellë Europën më afër qytetarëve,” shpjegoi kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, ndërsa përuruan sot në Strasburg portalin e ri të PE.
Faqja e internetit, do të jetë interaktive dhe shumëgjuhëshe dhe përmban rreth 2 000 artikuj të për t’u lexuar me shembuj të ndikimit pozitiv të BE-së në jetën e qytetarëve.
Përdoruesit do të gjejnë informata specifike mbi veprimet e BE-së për rajonin, profesionin e tyre si dhe kalimin e kohës së lirë.
Seksioni i parë i faqes, “Në rajonin tim”, lejon përdoruesit dhe familjet e tyre të zgjedhin vendin ku ata jetojnë ose punojnë.
Ndër shembujt do të jetë projekti ‘’Giovanisì’’ i realizuar në Toskanë me ndihmën e BE-së, por edhe kredia e nderit e krijuar nga rajoni Marche me mbështetjen e fondeve europiane.
Seksioni i dytë i portalit “Në jetën time” i lejon përdoruesit të zgjedhin midis 400 artikujve që prekin aspekte të rëndësishme për qytetarët europianë, siç janë kujdesi shëndetësor, hobi, udhëtimet, siguria dhe zgjedhjet e konsumatorit.
Një seksion i tretë i faqes do të ilustrojë rezultatet e legjislaturës aktuale dhe perspektivat për të ardhmen.