Numri i njerëzve që mungojnë në Kaliforninë veriore të përfshirë nga zjarret shkatërruese ka arritur në më shumë se 600 persona dhe janë gjetur shtatë trupa të tjerë, sipas autoriteteve lokale.
Lista e personave të zhdukur është dyfishuar që nga e hëna e kaluar.
"Camp Fire", zjarri më vdekjeprurës dhe më shkatërrues i shtetit, ka vrarë të paktën 63 njerëz. Rreth 12,000 ndërtesa janë shkatërruar.
Tre persona të tjerë kanë vdekur gjithashtu nga zjarri në Woolsey, në jug.
Presidenti, Donald Trump, do të udhëtojë drejt Kalifornisë të shtunën për të parë dëmet dhe për të takuar ata që janë prekur.
Rreth 9,400 zjarrfikës aktualisht janë duke luftuar me zjarret në të gjithë shtetin.
"Camp Fire", i cili shpërtheu tetë ditë më parë, u përhap me shpejtësi të madhe në veri, favorizuar dhe nga era, duke u lënë pak kohë banorëve për të shpëtuar.