Në Guatemalë është aktivizuar vullkani Fuego, i emërtuar ndryshe si “Vullkani i Zjarrit”.
“Të paktën 8.000 njësi banimi përreth zonës së vullkanit janë evakuuar pas aktivizimit”, njoftoi David de Leon, zëdhënës i Zyrës Koordinative Nacionale për Zvogëlimin e Dëmeve të Katastrofave në Guatemalë. De Leon tha se dje janë ndjekur aktivitetet vullkanike gjatë ditës dhe se popullatës i është bërë thirrje për evakuim pas sinjaleve të intensifikimit të shpërthimeve vullkanike.
Pamjet e publikuara të vullkanit tregojnë llavën që shpërthen nga maja vullkanike. Vullkani i Zjarrit, i lartë 3.763 metra, është një nga vullkanet më aktive të Amerikës Qendrore.
Nga shpërthimet që ndodhën në muajin qershor në këtë vullkan, 194 persona humbën jetën ndërsa 234 ishin raportuar të zhdukur.