Katër persona kanë humbur jetën pas të shtënave në një spital të Chicagos, përfshi këtu dy pjesëtare femra të stafit dhe një oficer policie, sikurse edhe agresori vet. Dy femrat e vrara ishin mjeke dhe ndihmësfarmaciste, siç konfirmoi më pas kryebashkiaku Rahm Emanuel.Një zëdhënës i policisë deklaroi se agresori kishte mbetur i vdekur pas shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri, por ende nuk dihet me saktësi nëse ai është vetëvrarë apo u qëllua nga policia.
Një oficer tjetër shpëtoi paq pa u lënduar, teksa plumbi i qëlluar në drejtim të tij ngeci për fat në armën që mbante në duar, sipas asaj që thotë policia.
Zyrtarët shprehen gjithashtu se agresori duket se kishte për objektiv një femër, me të cilën kishte pasur një marrëdhënie, por nuk japin ende një motiv për këtë ngjarje.
“Chicago humbi një doktor, një ndihmësfarmaciste edhe një oficer policie, që të gjithë në punën e tyre, duke bërë atë që donin më shumë në jetë, – tha Emanuel. – Kjo ngjarje ka tronditur qytetin. Kjo është fytyra e vërtetë dhe pasoja e së keqes”.
Incidenti ndodhi në spitalin “Mercy” të Chicagos rreth orës 15 me atë lokale (22 të së hënës). Policia tha se gjithçka kishte nisur me një grindje në parkingun e makinave mes personave që e njihnin njëri-tjetrin.
Agresori qëlloi fillimisht gruan që me sa duket e njihte, e më pas hyri brenda godinës, i ndjekur nga afër nga disa oficerë policie. U qëllua disa herë, madje pa dallim. Spitali “Mercy” u evakuua me shpejtësi gjatë incidentit, ndërsa policë të armatosur mbërritën shumë shpejt në vendngjarje. Spitali konfirmoi më vonë se policia kishte mundur të siguronte zonën dhe të ofronte mbrojtje për dhjetëra pacientë.
Media amerikane e identifikoi doktoreshën e vrarë si Tamara O’Neal, ndërsa policia konfirmoi se oficeri i vrarë ishte Samuel Jimenez, i cili ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve.