Japonia, Rusia dhe një konflikt i vjetër

E Enjte, 22 November 2018 19:09

Evropa këtë muaj shënoi 100 vjetorin e armëpushimit që solli fundin e Luftës së Parë Botërore. Përfundimi zyrtar i Luftës së Dytë Botërore mund të jetë i afërt, nëse Presidenti rus Vladimir Putin realizon një nga synimet e tij. Udhëheqësi rus ka ndërmarrë një nismë për të nënshkruar një traktat përfundimtar të paqes me Japoninë dhe për të zgjidhur një mosmarrëveshje të epokës sovjetike mbi fatin e disa ishujve të vegjël në Lindjen e Largët të Rusisë.

Vizita në ishullin Sakhalin të kujton ndryshimin e fateve të perandorive.

Nga Japonia Perandorake, deri në Rusinë Cariste, dhe më vonë sundimi sovjetik, luftërat dhe ndryshimi i kufijëve kanë formuar historinë e Sakhalinit dhe të familjeve që kanë jetuar aty.

“Kam lindur dhe jam rritur këtu. Deri në moshën 7 vjecare, u rrita nga një familje japoneze”, thotë Masaesi Sirokhata, banor i Sakhalinit.

Prindërit e Sirokhatas qëndruan në Sakhalin pasi forcat sovjetike morën kontrollin e plotë të ishullit në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ai vetë mësoi rusisht dhe më pas u bashkua me ushtrinë sovjetike për të mbrojtur ishullin nga japonezët.

“'Japonezët do të vijnë që andej!’ kështu na thoshin gjatë stërvitjeve. Ja ku është një, ngjitur me mua’ Bënim shaka gjithmonë”, thotë Masaesi.

Sot, banorët vendas preferojnë të shtojnë integrimin ekonomik në rritje me Azinë. Ndërsa Kremlini ka investuar shumë në ishull, industritë e naftës, gazit, peshkimit dhe turizmit të Sakhalinit, janë të gjitha të mbështetura tek investimet e huaja dhe vizitorët.

Është bërë një rrugë e gjatë nga ditët kur territori sovjetik ishte i mbyllur për të huajt.

"Ishim pjesë e Bashkimit Sovjetik. Ne ndërtonim qytete dhe fabrika. Njerëzit vinin këtu për të jetuar dhe punuar. Kur isha nxënës shkolle, nuk isha fare i interesuar nëse kishim marrëdhënie me Japoninë apo jo”, thotë Sergey Prokopenko, profesor në universitetin shtetëror Sakhalin.

Por komuniteti korean i Sakhalinit — ende i pranishëm — nuk e ka harruar historinë.

“Historia e famijes sime është tragjike por ajo tragjedi nuk na preku vetëm ne. Po të pyesësh, çdo familje këtu ka të njëjtën histori.”

Sjellë në Sakhalin si krahë i lirë pune nga japonezët, diaspora koreane e ishullit u mbajt e izoluar nga vendi i tyre deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Edhe sot, procesi i ribashkimit të familjeve dhe kërkesat e paplotësuara të dëmshpërblimeve nga Japonia janë plagë të hapura për shumë njerëz.

“Shtëpia ime është Sakhalini por rrënjët e mija janë në Kore….dhe nëse harron rrënjët harron cili je”, thotë Oksana Pak Soon Ok, president e Qendrës Koreane në Sakhalin.

Dallimet mbi rrënjët janë gjithashtu në zemër të një mosmarrëveshjeje mbi ishujt e vegjël Kurile që kanë mbajtur Rusinë dhe Japoninë zyrtarisht në luftë për mbi 70 vjet.

Presidenti rus Vladimir Putin i ka sugjeruar kryeministrit japonez Shinzo Abe që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje deri në fund të vitit.

Sa realist është ky synim, thonë disa banorë lokalë, do të varet nga gatishmëria e japonezëve.

“Rusia, sigurisht është një vend me zemër të madhe dhe e gatshme të harrojë borxhet e vjetra… por, të heqë dorë nga territori i saj? Jo, këtë nuk do ta bënte askush”, thotë Kirill, një ciceron në muzeun rajonal të Sakhalinit.

Dhe me Rusinë që përballet me një tjetër çështje territoriale lidhur me aneksimin e Krimesë, mosmarrëveshja e gjatë me Japoninë mund të ofrojë një mësim, se zgjidhja e disa mosmarrëveshjeve mbetet e largët… diku përtej horizontit.
Facebook Forum

Login to post comments