“Nëse Anglia del nga Bashkimi Europian pa arritur në një marrëveshje, atëherë ekonomia do pësojë dëme shkatërruese, ndoshta edhe më fatale se ato të krizës financiare” ky është përfundimi në të cilin ka arritur Banka Qendrore e Anglisë.
Në deklaratën e publikuar sot, thuhet se Brexit mund të tkurrë ekonominë angleze me 8%. Midis pasojave renditet rënia e çmimit të shtëpive me një të tretën si dhe zhvlerësimi i paundit me një të katërtën e vlerës. Probabiliteti për të patur këto pasoja rritet edhe më shumë në kushtet kur pas daljes nga BE, Anglia nuk do kalojë një periudhë tranzicioni.
Analiza e Bankës Qendrore të Anglisë vjen direkt pas analizës së publikuar nga Drejtoria e Thesarit. Raporti 82-faqësh trajtonte katër skenarë të mundshëm. Në të midis të tjerave, theksohej se largimi nga blloku do dëmtojë ekonominë angleze, pavarësisht procesit që do ndiqet.
Me shumë gjasa, ekonomia do të pësojë një goditje në vlerën 60 miliardë deri në 100 miliardë. Ndërsa, në rast se Anglia nuk arrin të nënshkruajë një marrëveshje, dëmet llogariten deri në 200 miliardë.