Presidenti ukrainas Petro Poroshenko i ka kërkuar NATO-s që të dërgojë anije në Detin Azov pas një konfrontimi detar me Rusinë jashtë Krimesë.
Ai i tha gazetës gjermane Bild se shpreson që anijet të vijnë për të ndihmuar Ukrainën dhe për të ofruar siguri.
Të dielën, Rusia hapi zjarr mbi tre anije të Ukrainës dhe kapi ekuipazhet e tyre në ngushticën e Kerçit midis Detit të Zi dhe Detit të Azov.
NATO ka shprehur mbështetje të plotë për Ukrainën, e cila nuk është shtet anëtar. Mes përkeqësimit të marrëdhënieve të mërkurën, Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Poroshenkon për provokim detar për të rritur vlerësimet e tij përpara zgjedhjeve të vitit 2019.
Presidenti Poroshenko ka vendosur ligjin ushtarak përgjatë rajoneve kufitare të Ukrainës për 30 ditë në përgjigje të krizës.
Në intervistën për Bild, Poroshenko tha se Vladimir Putin donte asgjë më pak se të zinte detin Azov. “Gjermania është një nga aleatët tanë më të ngushtë dhe ne shpresojmë që shtetet brenda NATO-s të sjellin anijet detare në Detin e Azov, në mënyrë që të ndihmojnë Ukrainën dhe të ofrojnë siguri. Ne nuk mund ta pranojmë këtë politikë agresive të Rusisë”-, tha ai.
Të hënën, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të lirojë anijet dhe marinarët e Ukrainës dhe tha se Moska duhet të kuptojë “pasojat e veprimeve të saj”.
Ai tha se blloku do të vazhdojë të ofrojë “mbështetje politike dhe praktike” për Ukrainën, e cila është një vend partner i NATO-s.
NATO nuk i është përgjigjur deklaratës së fundit të Poroshenko.