Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Donald Tusk, në lidhje me tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë në Detin Azov, tha se “Jam i bindur se BE do të zgjasë sanksionet ndaj Rusisë në muajin dhjetor”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në Argjentinë ku ndodhet për samitin G20, Tusk ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me presidentin e Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për shkak të tensionit në rritje në Detin Azov. Jam i bindur se BE do të zgjasë sanksionet ndaj Rusisë në muajin dhjetor”, tha Tusk duke ripërsëritur mbështetjen e BE-së për Ukrainën.
Pasi ka përmendur edhe marrëveshjen për Brexitin mes BE-së dhe Britanisë, Tusk tha se “Teksa afrohet votimi në Parlamentin e Britanisë shikojmë që marrëveshja aktuale është më e mira e mundshme. Nëse kjo marrëveshje nuk miratohet në Parlamentin e Britanisë ose nuk do të ketë marrëveshje ose nuk do të ketë Brexit”.
Ndërsa presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker në lidhje me “problemin e buxhetit” mes Brukselit dhe Romës tha se “Kemi arritur disa përparime në lidhje me mosmarrëveshjet me Italinë për buxhetin”.
Duke bërë të ditur se nesër do të takohet me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte, Juncker ka theksuar se “Italia është me ne, dhe ne jemi me Italinë. Atmosfera është pozitive”.