George H.W. Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara vdiq në moshën 94 vjeçare, sipas një njoftimi të familjes.
Ai ishte babai i Presidentit të 43-të amerikan, George W. Bush. Në vitin 2012, ai njoftoi se vuante nga parkinsoni vaskular, një sëmundje që i kufizoi lëvizjet e tij fizike. Bashkëshortja e tij prej 73 vjetësh, Barbara Bush, vdiq më 17 prill të këtij viti.
Për dekada të tëra, George Herbert Walker Bush shërbeu si një figurë e njohur në skenën ndërkombëtare , duke filluar nga roli si i dërguari i SHBA në Pekin, pastaj për tetë vite si nënpresident dhe më pas si President nga viti 1989 deri në 1993.
George H.W. Bush ishte veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore që shërbente si president. Ai luajti një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e vendit dhe botës për të dalë nga Lufta e Ftohtë që zgjati katër dekada gjatë së cilës globi jetoi nën kërcënimin e një konflikti bërthamor.
George H.W. Bush pasoi në Zyrën Ovale një figurë madhore të politikës amerikane siç ishte Presidenti Ronald Reagan, një rival i tij i dikurshëm.
Gjatë një periudhe të re që filloi më 20 janar 1989, Presidenti Bush u gjend në krye të superfuqisë së vetme të mbetur në botë. Muri i Berlinit ra; Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari; blloku komunist në Europën Lindore u shkatërrua; Lufta e Ftohtë kishte marrë fund.
Diplomacia e tij e fuqishme por e përmbajtur ndihmoi që këto ngjarje të kalonin në paqe dhe harmoni në skenën botërore.
Në dhjetor 1992, George H. W. Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtur udhëheqësit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake.
Pavarësia e Kosovës u realizua nën presidencën e djalit të tij George W. Bush në shkurt 2008.