Mijëra demonstrues u mblodhën në Buenos Aires për të marshuar kundër politikave ekonomike të G20, ndërsa vendet kryesore të industrializuara në botë hapën samitin e tyre vjetor në kryeqytetin argjentinas.
Por protestuesit nuk patën shanse të mbërrinin afër udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës dhe fuqive të tjera botërore, që u mblodhën për një takim, axhenda e të cilit pritej të dominohet nga lufta tregtare SHBA-Kinë.
Policia, Roja Bregdetare dhe patrullat kufitare rrethuan një zonë prej 12 kilometrash katrorë në qendrën Costa Salguero, ku samiti është duke u mbajtur, ndërsa trafiku i mallrave në lumin La Plata, u mbyll për këtë event.
Marshimi, i organizuar nga një koalicion i sindikatave të punës dhe grupeve të të drejtave, u mbajt rreth 5 kilometra larg samitit. Buenos Aires u mbyll kryesisht në shumë zona. Transporti publik u pezullua dhe pati qindra ndërprerje linjash transporti, për të bllokuar dhe kontrolluar trafikun dhe turmat.
E premtja u shpall festë e Bankës Kombëtare dhe qeveria e qendrës së djathtë të Argjentinës sugjeroi që njerëzit të largohen nga qyteti gjatë samitit. Këto masa e bënë të vështirë për aktivistët, që të marshonin pranë zonës ku po mbahet takimi.
Protestat janë të zakonshme në tubime të tilla të mëdha globale, me grupe të ndryshëm të demonstruesve që shpesh kanë gjetur terren të përbashkët për të protestuar kundër asaj që ata e shohin si të lënë pas dore, margjinalizimin e të varfërve, për botën e pasur.