Trump nderon George H.W. Bush në Capitol Hill

Tuesday, 04 December 2018 09:57

Presidenti amerikan Donald Trump, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Melania, i bënë respektin e fundit ish-presidentit të ndjerë George H.W. Bush, në vazhdën e ceremonisë shtetërore në Capitol Hill të Uashingtonit.

Trump bëri një vizitë të shkurtër përreth arkivolit, pikërisht në hapësirën e lejuar për publikun për të bërë nderimet ndaj ish-presidentit, përpara se ai të prehet në banesën e fundit ditën e mërkurë. Edhe pse është përplasur ashpër me familjen Bush në të kaluarën, Trump do të marrë pjesë në shërbesën funerale.

Bushi i vjetër, i cili ndërroi jetë të premten në moshën 94-vjeçare, do të prehet më pas në shtëpinë e tij në Teksas, përkrah ish-bashkëshortes gjithashtu të ndjerë, Barbara Bush.

Arkivoli i tij u zhvendos më herët nga Teksasi përmes një ceremonie me 21 të shtëna armësh, për t’u dërguar në Uashington në bordin e “Air Force One”, i mbiquajtur përkohësisht “Special Air Mission 41” në shenjë homazhi ndaj presidentit të ndjerë.

Bush, i cili shërbeu si president i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mes viteve 1989-1993, ishte duke u kuruar nga një formë parkinsoni dhe ishte shtruar në spital për shkak të një infeksioni në gjak gjatë muajit prill.

Publiku i gjithë do të mund të bëjë nderimet e fundit deri ditën e mërkurë, kur do të zhvillohet ceremonia mortore në Katedralen kombëtare, me pjesëmarrje të kufizuar vetëm me ftesa. Trump dhe Melania do të marrin pjesë atje, por pa mbajtur asnjë fjalim.

George H.W. Bush ka qenë pilot me dekorata i Marinës gjatë Luftës së Dytë Botërore, kreu i CIA-s më vonë dhe përpara se të zgjidhej president në vitin 1988 ishte edhe zëvendës i Ronald Reagan.

Modifikuar më Tuesday, 04 December 2018 10:57
Login to post comments