Kthimi i SHBA në rolin tradicional të lidershipit - Ministri i Jashtëm i SHBA-së shpalos vizionin e politikës së jashtme amerikane në Bruksel.
Si e sheh politika e jashtme amerikane rolin e organizatave ndërkombëtare dhe rolin e SHBA-së në botë? Përgjigjen për këtë e dha të martën (04.12) në Bruksel, Sekretari amerikan i shtetit, Michael R. Pompeo në një fjalim që mbajti në zyrën e Brukselit të fondacionit amerikan, German Marshall Fund.
Histori
"Vetëm një lidership i fortë amerikan, në harmoni me miqtë dhe aleatët mund të bashkojë kombet sovrane në të gjithë botën", tha Pompeo duke kujtuar rolin kryesues të SHBA pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu u krijuan institucionet e reja për rindërtimin e Europës dhe Japonisë, u stabilizua monedha, u ngrit infrastruktura për tregëtinë. "Ne të gjithë bashkë krijuam NATO-n për të garantuar sigurinë për vete dhe aleatët. Ne hymë në traktate për të kodifikuar vlerat perëndimore të lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Ne krijuam organizatat ndërkombëtare për të promovuar paqen dhe bashkëpunimin midis shteteve. Ne punuam shumë, të ruajmë idealet perëndimore, sepse secila nga ato ia vlen të ruhet", tha ministri i Jashtëm, Pompeo duke numëruar sukseset: "Ne fituam Luftën e Ftohtë. Ne fituam paqen. Ne ribashkuam Gjermaninë".
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ky rend liberal filloi të prishej. "Ai bëri që ne të dështonim në disa gjëra, dhe nganjëherë bëri që edhe ju e pjesa tjetër e botës të dështonin. Multilateralizmi shihet shpesh si qëllim në vetvete", tha Pompeo. "Sa më shumë traktate të nënshkruajmë, aq më të mbrojtur jemi. Sa më shumë burokratë të kemi, aq më mirë bëhet puna".
Pyetjet
"Por, a është e vërtetë kjo?", pyet ai duke vazhduar me pyetjet. "Pyetja qendrore është: a funksionon sistemi siç është i konfiguruar ai tani, siç ekziston bota sot? A funksionon ai për të gjithë njerëzit në botë?"
Sot, tek Kombet e Bashkuara (OKB), misionet paqeruajtëse zvarriten për dekada të tëra pa iu afruar paqes. Paktet e OKB-së për klimën shihen nga disa kombe si mjet për të rishpërndarë pasuritë. Paragjykimet anti-izraelite janë institucionalizuar. Fuqi rajonale si Kuba dhe Venezuela bashkëpunojnë me votat në Këshillin për të drejtat e njeriut. OKB-ja u krijua si një organizatë që mirëpret kombet që duan paqen. "Unë pyes: A vazhdon edhe sot t'i shërbejë me besnikëri këtij misioni?", kështu Pompeo.
Ai kritikoi më tej rolin e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që shpesh konsultojnë vende që kanë menaxhuar keq ekonomitë e tyre. Për Europën ai kujton Brexitin dhe pyet nëse BE ve interesat e vendeve dhe qytetarëve para interesave të burokratëve të Brukselit.
Vendet e tjera
Në Kinë zhvillimi ekonomik nuk ka çuar në demokraci dhe stabilitet, por në represion politik. Irani nuk i është bashkuar bashkësisë së kombeve por shton terroristët dhe diktatorët. Rusia nuk i bashkohet vlerave perëndimore të lirisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, por sulmon vende sovrane si Gjeorgjia dhe Ukraina. Moska ka përdorur një lëndë nervore në tokë të huaj duke shkelur Konventën për Përdorimin e Armëve Kimike dhe ka shkelur Paktin për Armët Bërthamore për vite me radhë.
Kthimi i SHBA në rolin tradicional të lidershipit
Për ministrin e Jashtëm të SHBA-së, Pompeo, "kjo është çfarë është duke bërë presidenti Trump. Ai po i kthen Shtetet e Bashkuara në rolin e tyre tradicional, rolin e lidershipit qendror në botë, duke e parë botën siç është dhe jo si do të donim të ishte."
"Misioni ynë është të rivendosim sovranitetin tonë, të reformojmë rendin liberal ndërkombëtar, dhe ne duam që miqtë tanë të na ndihmojnë duke ushtruar sovranitetin e tyre po ashtu. Aspirata jonë është që rendi ndërkombëtar t'i shërbejë qytetarëve, jo t'i kontrollojë ato. Synimi i SHBA-së është të udhëheqë, tani dhe përherë, tha ministri i Jashtëm amerikan, Pompeo, para diplomatëve dhe ushtarakëve të huaj.
Pompeo, cili e mban postin e Sekretarit të Shtetit që nga muaji prill i këtij viti, iu drejtua të tjerëve me ftesën: "Le të punojmë së bashku të ruajmë botën e lirë, që të vazhdojë t'i shërbejë interesave të njerëzve, për të cilat secili prej nesh është përgjegjës".
"Le ta bëjmë këtë në një mënyrë që të krijojmë organizata ndërkombëtare që janë të afta për të vepruar, që respektojnë sovranitetin kombëtar, që sjellin rezultate në misionin e dhënë, që krijojnë vlera për rendin liberal dhe botën", tha Pompeo, ish- drejtor i CIA-s, duke paralajmëruar, se "nëse SHBA dhe aleatët tanë këtu në botë nuk drejtojnë, atëherë drejtimin do e marrin të tjerët".